Derisa Serbia po ballafaqohet me protestat më të mëdha studentore, Maqedonia e Veriut qëndron në gjumë letargjik.
Shembja e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad ku e humbën jetën 15 persona dhe dalja në sipërfaqe e korrupsionit dhe neglizhencës në projektet infrastrukturore, kanë bërë që studentët serbë anembanë vendit të ja “vënë flakën” shtetit për katër muaj me protesta masive antiqeveritare.
Studentët atje janë të qartë në qëllimin e tyre, e kanë vendosur të përgjithshmen para individuales, dhe deri më tani kanë vendosur mos të tërhiqen
Por ku qëndrojmë ne? Askund fare.
Edhe ne kemi parë korrupsioni të merr jetë qytetarësh, por i kemi trajtuar me zero empati dhe zero vetëdije kolektive. Kemi shumë raste të dokumentuara, por po përmend një nga më të dhimbshmet, djegia për së gjalli e 14 pacientëve në spitalin modular në Tetovë. Asnjë lloj përgjegjësie, fajtorët e vërtetë shëtitën të lirë, ndërsa u mbajtën protesta me pjesëmarrje të ulët skandaloze të qytetarëve, që në një botë normale, ashtu siç u dogj spitali qytetarët do ja kishin “vënë flakën shtetit”. Por jo në rastin tonë!
Sidoqoftë po kthehem përsëri te studentët, e ardhmja e vendit. E përsëris, në gjumë të thellë letargjik. “Nuk po kqyrin e nuk po ninë”, siç thotë populli. Nuk ju bëhet vonë fare se nga po merr drejtim ky vend. Është shndërruar në trend mos të reagojnë për çështje të tilla, ndërsa të reagojnë për çështje që në fund të ditës kanë pak ose aspak vlerë. Te ne, studentët i gjen kafeneve duke u shtyrë se kush do zërë një tavolinë bosh për tu ulur, çështjet tjera nuk janë temë e bisedës.
Kur mendoj për studentët te ne, me gjithë të zezat e tyre, nuk mund të lë pa përmendur Forumin për Ndryshime në Arsim, ca të rinj fantastikë të cilët me zor po mundohen që t’i zgjojnë këta studentë nga gjumi, por duket se nuk ua do, andaj ata vetë përmes aktiviteteve të tyre po mundohen që për çdo ditë të ngenë vetëdije dhe debat mbi problemet arsimore, korrupsionin, nepotizmin e shumëçka tjetër. Edhe këta se kanë të lehtë besa, sepse po ballafaqohen me lloj-lloj presionesh nga më të ndryshmet, madje edhe nga “kërcënime” nga avokatë ndërkombëtare, si në rastin e fundit. Por, ata janë të qartë në misionin e tyre, kanë vendosur të mos dorëzohen. E shpresoj që kjo shpresë e fundit e ngelur se do të bëhet mirë, të lulëzojë dhe jehojë anembanë vendit, shumë shpejtë, ashtu si protestat në Serbi.
Nuk kemi qenë kështu të dështuar, vendi jonë në të kaluarën ka parë protesta të jashtëzakonshme studentore, por tani për tani ata mbeten kujtime të bukura të historisë.
Për fund, situata nuk është aspak më e mirë as te fqinjët tanë në Shqipëri, përderisa në Serbi po protestohet kundër një sistemi, në Shqipëri protestohet për mbylljen e TikTokut.
Gjykojeni vetë!
Editoriale të tjera nga autori mund të lexoni KËTU.