Talebanët filluan sulmet hakmarrëse ndaj Pakistanit

Talebanët e Afganistanit thanë se Pakistani ka kryer dy sulme ajrore në territorin e tyre duke vrarë pesë gra dhe tre fëmijë, duke shtuar se janë përgjigjur përmes sulmeve me armë të rënda me forcat pakistaneze në kufi, raporton EN.

Afganistani dhe Pakistani kanë fajësuar njëri-tjetrin lidhur me përgjegjësinë e sulmeve të fundit të militantëve islamistë më Pakistani. Pakistani ka thënë se sulmet janë kryer nga toka afgane, por këto akuza janë mohuar nga talebanët që sundojnë në Afganistan.

“Emirati Islamik i Afganistanit nuk lejon askënd të komprometojë sigurinë duke përdorur territorin afgan”, tha Zabiullah Mujahid, zëdhënës i administratës talebane. Ai shtoi se sulmet ajrore që vranë tetë persona kryen në provincat lindore, në Host dhe Paktika, që gjenden në kufi me Pakistanin.

Përmes një deklarate, Zyra për Punë të Jashtme pakistaneze tha se shteti ka kryer “operacione kundërterroriste në rajonet kufitare, brenda Afganistanit”.

Kjo zyrë nuk specifikoi se për çfarë operacionesh bëhej fjalë, por tha se janë shënjestruar anëtarë të grupit militant, Hafiz Gulf Bahadur, pas një sulmi ndaj një posti ushtarak në Pakistan të shtunën.

Ndërkaq, në një deklaratë të ndarë Ministria talebane e Mbrojtjes tha se forcat e sigurisë kanë shënjestruar trupat pakistaneze në kufi në përgjigje të sulmeve ajrore.

Zyra për Punë të Jashtme e talebanëve i bëri thirrje kreut të misionit të Pakistanit që të dënojë sulmin.

Ushtria pakistaneze tha përmes një deklarate se “vala e fundit e terrorizmit ka mbështetjen dhe ndihmën e plotë të Afganistanit”. Në deklaratë nuk u përmend ndonjë sulm ajror, por tha se sulmet e së shtunës u kryen nga militantët që kanë gjetur “strehë të sigurt” në Afganistan.

Qeveria pakistaneze dhe zyrtarët e sigurisë vazhdimisht kanë thënë se sulme të tilla janë rritur muajve të fundit. Përgjegjësinë për shumicën e sulmeve e kanë marrë anëtarët e grupit TTP, duke thënë se janë kryer nga toka afgane.