Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar Komunën e Çairit për tolerim të ndërtimeve të paligjshme dhe marrëveshje të dyshimta që, sipas tyre, po dëmtojnë hapësirat publike dhe infrastrukturën. Sipas BDI-së, pasojat përfshijnë rrugë të bllokuara, mungesë parkingu dhe presion të shtuar urban, transmeton Portalb.mk.
“Në Çair po vazhdon ndërtimi i objekteve të banimit në mënyrë të paligjshme ose në rrethana shumë të dyshimta. Këto ndërtime po bëhen me tolerim të institucioneve komunale. Pasojat janë të qarta: rrugë të bllokuara, mungesë parkingu, presion mbi infrastrukturën dhe humbje e hapësirave publike. Ndërkohë, vendimmarrësit në komunë nuk jetojnë në Çair. Ata jetojnë në komuna të tjera, si Buteli, ndërsa Çairin e përdorin si vend për përfitime financiare nga ndërtimet”, thonë nga BDI.
Partia kërkon ndalimin e menjëhershëm të këtyre praktikave dhe paralajmëron publikimin dhe denoncimin e çdo rasti të dyshuar tek institucionet kompetente.
“Institucionet ndëshkuese kanë detyrim ligjor të veprojnë. Nëse nuk veprojnë, përgjegjësia do jetë e tyre. Nga sot, BDI – Çair do të fillojë identifikimin e çdo parcele dhe çdo hapësire publike ku tentohen ndërtime të paligjshme. Çdo rast do të bëhet publik. Çdo rast do të denoncohet para institucioneve kompetente”, thonë nga BDI.
Ndërtimet pa leje në Çair vitin e kaluar u bënë të dukshme edhe nga një kënd tjetër, përmes daljes në terren të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Ajo doli publikisht me kopje dokumentesh që duhej të tregonin se legalizimi, i cili është problematik në vetvete, është bërë madje edhe me dokumente të falsifikuara.
Në ndërkohë, Prokuroria hapi lëndë për legalizimet problematike në Çair. Në fund të nëntorit 2025 ish-prokurori i Shtetit Ljupço Kocevski tha se të njëjtat trajtohen përmes dy lëndëve, njëra, sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, dhe tjetra, sipas kallëzimit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit. Ai pati thënë se të dyja lëndët janë të ndërlidhura mes vete dhe me shumë gjasë do të bashkohen.
Megjithatë, nga Prokuroria Publike nuk bëjnë të ditur se në çfarë faze janë këto lëndë, nëse janë bashkuar dhe kur pritet të ngritet aktakuzë.