Kocevski për legalizimet e dyshimta në Çair: Po zhvillohen dy lëndë dhe me shumë gjasë do të bashkohen, ka mjaftueshëm prova
Legalizimet problematike në Çair po trajtohen përmes dy lëndëve, njëra, sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion, në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, dhe tjetra, sipas kallëzimit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Prokurori i Shtetit, Ljupço Kocevski, në një intervistë për 360 Gradë tha se të dyja lëndët janë të ndërlidhura mes vete dhe me shumë gjasë do të bashkohen. Ai thotë se ka mjaftueshëm prova, transmeton Portalb.mk.
“Këto dy lëndë me shumë gjasë do të bashkohen ose janë bashkuar tashmë, sepse janë të ndërlidhura mes tyre. Ka mjaftueshëm prova, do të shohim më tutje se si do të zhvillohet procedura. Momentalisht po zhvillohen dy lëndë, ishin regjistruar dy lëndë”, tha Kocevski.
360 gradë për dy vite rresht hetoi pse në Çair, që edhe ashtu është zonë e mbipopulluar, po ndërtohet gjithnjë e më shumë dhe me përmasa më të mëdha. Verifikimet treguan se në terren ka shumë më tepër ndërtime sesa lejet e miratuara nga Komuna e Çairit. U publikua edhe se në Komunë janë arkivuar kërkesa për legalizim madje edhe para se të nisin ndërtimet pa leje. Për më tepër, askush nuk ka kontrolluar në terren se çfarë po legalizohet në të vërtetë.
Ndërtimet pa leje në Çair këtë vit u bënë të dukshme edhe nga një kënd tjetër, përmes daljes në terren të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Ajo doli publikisht me kopje dokumentesh që duhej të tregonin se legalizimi, i cili është problematik në vetvete, është bërë madje edhe me dokumente të falsifikuara.
Për të dyja rastet, Prokuroria thoshte se po procedohet, por deri më tani nuk ka epilog.