BDI-ja parashtroi disa pyetje në lidhje me autostradën e re Shkup – Bllacë
Nuk ka ndonjë plan ose projekt të ri për autostradën Shkup – Bllacë. Kështu vlerësojnë nga BDI-ja, duke theksuar se akoma është në fuqi projekti i planifikuar nga Ali Ahmeti dhe BDI-ja, transmeton Portalb.mk.
“Për qytetarët duhet të jetë e qartë: nuk mund të ketë “trase të re” pa plan, projekt dhe akte të reja të miratuara. Prandaj, le ta publikojnë: planin e ri urbanistik, nëse ekziston; projektin e ri, nëse ekziston; vendimin me të cilin është ndryshuar traseja dhe hartën e parcelave nëpër të cilat kalon rruga. Nuk ka as plan të ri urbanistik, as projekt të ri”, deklaroi Bekim Rexhepi, duke shtuar se “punojnë me planin dhe projektin që e ka bërë Ali Ahmeti”.
Ai theksoi se përkundër asaj se ministri Aleksandar Nikollovski deklaroi se autostrada nuk do të kalojë nëpër parcelat e BDI-së, akoma nuk ka ndonjë ndryshim të publikuar.
Ndryshe, më 26 gusht në praninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, drejtuesve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të BE-së e BERZH-it u vendos gurthemeli për dhjetë kilometrat e fundit të rrugës Shkup-Bllacë. Punimet për këtë segment pritet të përmbyllen brenda katër vjetësh.
Nga projekt korruptiv, në projekt qeveritar
Kujtojmë se Qeveria aktuale, e cila gjatë kohës sa ishte në opozitë kritikonte projektin e autostradës Shkup–Bllacë, duke e cilësuar si korruptiv, me trasenë më të shtrenjtë.
“Për këtë është njoftuar Prokuroria Themelore Publike dhe presim procedurat. Popullit pret përgjigje: Nëse qeveria e kaluar ka dashur të përfitojë miliona, përmes njerëzve të afërt? Prokuroria Themelore Publike, të inicojë procedurë dhe të jap përgjigje. Maqedonia s`ka 300 milionë euro për t`i hedhur në autostradën prej vetëm 10 kilometrave . Traseja duhet të riprojektohet dhe të fitohet autostrada me çmim shumë më të ulët.BDI-ja dhe LSDM-ja, nuk kanë punuar që të ketë autostradë, por për të përfituar”, deklaraonte VMRO
Autostrada Shkup – Bllacë është një arterie e rëndësishme rrugore që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovo dhe Malin e Zi. Ndërtimi i saj pritet të mundësojë transport më efikas dhe më të sigurt, të përmirësojë lidhjet me vendet fqinje dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik, tregti dhe investime.
Ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë kishte nisur edhe në vitin 2020. Projekti ka një gjatësi totale prej vetëm 12 kilometrash.
Për të përshpejtuar ndërtimin, ai u nda në dy segmente: njëri nga pika kufitare e Bllacës deri te nyja e Bllacës, ndërsa tjetri nga nyja pranë aeroportit sportiv “Stenkovec” deri në fshatin Bllacë.
Megjithatë, për gjashtë vjet u ndërtuan vetëm dy kilometra, të cilët nuk u vunë në funksion.
Nga ana tjetër, Kosova ndërtoi pjesën e saj të autostradës Autostrada Arben Xhaferi – nga Prishtina deri te pika kufitare Pika Kufitare Bllacë – me gjatësi prej 65 kilometrash brenda gjashtë vjetësh. Ajo është në funksion prej shtatë vitesh.
Në muajin qershor u vendos që faza e dytë e autostradës Shkup – Bllacë të ndërtohet nga kompania “Granit”, ndërsa të fillojnë në muajin qershor ose korrik të këtij viti.
Pjesa e dhjetë kilometrave të ardhshëm në autostradën Shkup – Bllacë pritej të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2022, kështu kishte premtuar drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi.
Pastaj nga qeveria e re VMRO-VLEN u paralajmërua se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin në fund të dhjetorit të vitit 2025, megjithatë kjo nuk ndodhi. Punimet nuk kanë nisur, jo për shkak kushteve klimatike, por siç sqarojnë nga kabineti i zëvendësministres Kaltrina Zekolli – Shaqiri, arsyet e vonesës janë procedurat burokratike të institucionit financiar dhe periudhës së festave të fundvitit.
Ministria i Transportit, Aleksandar Nikollovski, më 13 qershor sqaroi që punimet në terren do të fillojnë posa të kryhen procedurat administrative, ndërsa u premtua se punimet do të përfundojnë për tre vjet e gjysmë, ndërsa u theksua që autostrada do të ketë pesë tunele, dy galeria dhe 12 ura.
- LEXO: Kontrata për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë do të nënshkruhet të hënën
- LEXO: U zgjodh kompania që do të ndërtojë autostradën Shkup – Bllacë, planifikohen pesë tunela dhe 12 ura
- LEXO: Akoma nuk dihet kur do të vazhdojnë punimet në autostradën Shkup – Bllacë
- LEXO: Punimet në autostradën Shkup-Bllacë shtyhen përsëri për shkak të procedurave burokratike
- LEXO: Nikolloski i publikoi kompanitë që kanë blerë parcelat ku kalon traseja e autostradës Shkup – Bllacë
- LEXO: Në pjesën e parë të këtij viti pritet të fillojnë 10 kilometrat tjerë të rrugës Shkup-Bllacë, premtoi Rustemi