BDI e keqpërdori flamurin shqiptar, tani flamurin evropian, reagojnë nga opozita shqiptare për ndryshimet në Kodin Penal

Keqpërdorimi i flamurit evropian në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut gjatë ndryshimit të Kodit Penal është alarmuar sot nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike. Partitë opozita kanë vlerësuar që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po fyen inteligjencën e qytetarëve evropian dhe Komiisonit Evropian, transmeton Portalb.mk.

“Për faktin se është keqpërdorur flamuri Evropian nuk jemi aspak të çuditur. Ne tashmë jemi mësuar që të keqpërdoren flamujt në realizimin e qëllimeve të tyre dhe kjo ndodh për dekada me radhë. Ata e keqpërdorën flamurin shqiptar për të manipuluar me shqiptarët se e duan interesin e tyre, siç ishte edhe manipulimi me idenë e kryeministrit shqiptar, që tash të deklarojnë se ka mbaruar koha e patriotizmit, për të kaluar pastaj në ndryshimet në Kodin Penal, sepse kjo qenka e nevojshme për reformat në drejtësi dhe këtë na e kërkuaka BE-ja”, deklarojnë nga opozita shqiptare.

Ata sot kanë mbajtur konferencë për media para shtëpisë së Misionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

“Tashmë nuk është aspak e nevojshme të komentojmë e të shpjegojmë ne për të konstatuar se kush po e keqpërdor “Europën”. Është vetë ambasadori i BE-së ai që ka deklaruar se Komisioni Evropian ka reaguar për përdorimin e flamurit të BE-së për ndryshimet në Kodin Penal dhe se BE-ja e  konsideron të papërshtatshme këtë, duke shpjeguar se kjo është një çështje që kërkon diskutim, aq më shumë që këto ndryshime janë rrezik për shtetin e së drejtës përderisa e hapin rrugën e rritjes së mosndëshkimit”, deklarojnë opozitarët shqiptar.

Opozita vlerësoi që kryetari Ahmeti është duke u tallur me inteligjencën e qytetarëve dhe Komisionit Evropian kur thotë se “edhe Brukseli edhe Uashingtoni, kur të hyjnë në analizë më të thellë, do t’i kuptojnë arsyet” e këtyre ndryshimeve në Kodin Penal.

Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi  në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.

Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.