Bastisja në Likovë, Kumanovë dhe Zhelinë: Paraburgim për 7 qytetarë të RMV-së, të përfshirë 4 shtetas të Kosovës dhe një i Kroacisë
Gjatë një operacioni të madh të Policisë Financiare në komunat Likovë, Kumanovë dhe Zhelinë, u zbulua veprimtaria e një grupi kriminal që dyshohet për shmangie tatimore dhe pastrim parash në vlerë mbi 430 milionë denarë. Hetimi dyvjeçar u zhvillua në koordinim me Prokurorinë për Krimin e Organizuar dhe përfshiu kontrolle në disa lokacione. Deri tani janë arrestuar 7 persona, ndërsa një është në arrati, transmeton Portalb.mk.
“Pas një procedure të gjerë dyvjeçare para-hetimore nga Drejtoria e Policisë Financiare, e cila u zhvillua në kuadër të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot, nën udhëheqjen e prokurorit publik, Drejtoria e Policisë Financiare kreu një operacion në të cilin u kryen kontrolle në disa lokacione në zonën e komunave të Likovës, Kumanovës dhe Zhelinës.
Prokurori përgjegjës ka miratuar Urdhër për zbatimi ne procedurës hetimore kundër 13 personave, duke përfshirë katër shtetas të Kosovës dhe një shtetase nga Kroacia.
Grupi kriminal dyshohet se ka vepruar për një periudhë më të gjatë kohore dhe ka pasur për qëllim kryerjen e veprave penale “Bashkim kriminal” sipas nenit 394 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, “Shmangie nga taksat” sipas nenit 279 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, “Mashtrim tatimor” sipas nenit 279-a të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë dhe “Pastrim parash dhe të ardhurave të tjera nga krimi” sipas nenit 273 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, me qëllim që organizatorët dhe anëtarët e grupit të përfitojnë dobi të paligjshme pasurore në shumën mbi katërqind e tridhjetë milionë denarë, gjë që i ka shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të Republikës së Maqedonisë. Me urdhër të një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në aksionin me ndihmën e njësisë “Tigri”, 7 persona u privuan nga liria dhe u nxorën para një gjyqtari për procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale, dhe një person nuk është në dispozicion të autoriteteve të zbatimit të ligjit”, thonë nga Policia Financiare.
“Prokuroria theksoi se ky grup ka krijuar rrjet të subjekteve juridike përmes së cilave është kryer tregtia fiktive me derivate të naftës, janë përgatitur fatura me përmbajtje të pavërteta, me qëllim që t’i shmangen pagesës së tatimit dhe kundërligjshëm të bëhet kthimi i TVSH-së.
Me propozim të prokurorit, Gjykata ka vendosur 30 ditë paraburgim për shtatë të arrestuarit, ndërsa për pesë shtetasit e huaj dhe një shtetas të arratisur, masa është caktuar në mungesë.” thonë nga Prokuroria.