Bashkim Mexhiti, Drita Kaba Karaga, Ismail Kasumi flasin për vitin 2023: Përmendin njerëz, ngjarje e institucione të suksesshme

Portalb.mk përmes një pyetësori të thjeshtë do të sjellë personalitete të ndryshme që do veçojnë suksesin e tyre për këtë vit, ngjarjen ose personalitetet që mendojnë se kanë bërë diçka të veçantë, institucionin më të rëndësishëm, po ashtu dhe qytetin më aktiv. Na ndiqni ditët në vijim, derisa numërimi mbrapsht të fillojë. Për çka do ta mbajmë mend vitin 2023? Të përgjigjemi së bashku! 

Bashkim Mexhiti
Bashkim Mexhiti

Sukseset e profesorit të Universitetit të Tetovës  Bashkim Mexhitit për sivjet …

Viti aktual- 2023, ishte një vit i suksesshëm i pesë projekteve në karrierën time artistike, duke më sjellë dy ekspozita personale jashtë shtetit dhe një projekt me tre ekspozita në tre qytete të ndryshme brenda shtetit. Në Grac të Austrisë në galerinë me renome botërore “Gallery ursulastross” dhe në Greqi, në galerinë e qytetit “Nea Moudonia”- Halkidiki, shpërbleva eksperiencën e dy ekspozitave personale. Përmes zgjedhjes së këtyre destinacioneve, synova të eksploroja kultura të reja dhe të krijoja një lidhje të ngushtë midis artit tim dhe një audience ndërkombëtare. Reagimet e publikut ishin përkrahëse dhe inkurajuese, duke krijuar një ndjesi të thellë të lidhjes me dashamirësit e artit.

Projekti tjetër i suksesshëm me tre ekspozita në tre qytete brenda shtetit (Strumicë, Koçan dhe Strugë)  ishte një angazhim ndaj komunitetit dhe një eksplorim i thelluar i lidhjeve mes artit dhe vendit tim. Temat dhe lidhjet midis punimeve të mia pasqyruan një rrugëtim artistik dhe një mesazh për komunitetin. Reagimet e pozitive dhe pjesëmarrja e madhe e publikut në këto ngjarje treguan më shumë se sa një shfaqje artistike – treguan një lidhje të fuqishme midis artit dhe komunitetit lokal.

Kjo eksperiencë më ka rritur në aspekte të ndryshme. E kam ndjerë një rritje të thellë artistike dhe një lidhje më të fortë me audiencën time. Në nivel personal, kam mësuar se arti ka fuqi të ndryshojë perspektivat dhe të krijojë lidhje thellë me njerëzit. Këto suksese më frymëzojnë të vazhdoj rrugën time artistike me pasion dhe përkushtim.

Njerëz që veçon …

Emira Selimi – Iniciatore për hapjen e bibliotekës së pare shqipe në Manastir. Jëldëz Asani – si Historiane e Artit, (Kritike në shumë parathënie te katalogëve të artistëve figurativ) si dhe pjesëmarrëse me punim shkencorë në Konferencën shkencore ndërkombëtare “Arkeologjia shqiptare në 75 vjetorin e krijimit të saj”. Metin Izeti – Filozof dhe kritik i Artit, (botimi librit “Shtigjet e estetikës” – 2023, kritik ne katalogë arti gjithashtu shumë aktiv me shkrime nëpër revista të ndryshme dhe në rrjetet sociale. Nora Halimi – Disenjatore, ekspozita personale brenda dhe jashtë shtetit. Reshat Ameti – Piktor, ekspozita dhe simpoziume brenda dhe jashtë shtetit

Institucioni që përmend…

Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, me shumë aktivitete por e kisha veçuar natën e parë ku ka përfaqësuar traditën dhe folklorin shqiptar të shqiptarëve të Maqedonisë të Festivalit Folklorik Kombëtar i cili u mbajt në Gjirokastër.

Arritje në shkencë, teknologji…

Kompania e shqiptarëve nga Tetova “Ekolog” – Prodhimi i veturave elektrike, Tetova.

Urimi i fundvitit …

Në këtë fund të vitit, dëshiroj të shpreh një ndjenjë të pasur mirënjohjeje dhe një respekt të thellë për secilin prej jush. Ky vit ka qenë një rrugëtim i pasur me ngjarje dhe përvoja, një rrugëtim që ka përfshirë emocione të larta dhe sfida të mëdha. Në vitin që po vjen, le të vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku, të nxitur nga dëshira për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të krijuar ndryshime pozitive. Le të shikojmë përpara me kurajë dhe besim në fuqinë tonë për të bërë ndryshime të mëdha. Të reflektojmë mbi rritjen tonë shoqërore dhe të ndajmë dëshirat dhe synimet për vitin që po vjen, të mbushur me lumturi, shëndet dhe arritje për ju dhe për të gjithë ata që ju janë të afërt! Gëzuar!

Drita Kaba Karaga
Drita Kaba Karaga

Aktorja nga Teatri Shqiptar i Shkupit Drita Kaba Karaga veçon suksese …

E kam të pamundur të veçoj emra dhe institucione, pa përjashtim njerëzit që krijojnë e derdhin djersë për artin e tyre, vlejnë dhe lista është e gjatë , por unë do përpiqem të veçoj disa … Duke filluar nga shtëpia amë Teatri Shqiptar, Teatri i Tetovës, Teatri Gostivarit, Kumanovës, Teatri Shqiptar për Fëmijë e të Rinj, skenat e fakulteteve, galeritë e arteve, koncertet e muzikës klasike, Ansambli Shqiptar, shtëpitë botuese e të tjera.

Vlen të përmendet institucionalizimi i Institutit Nacional “Ansambli Muzikor” në Tetovë gjatë këtij viti. Sa ju përket aktiviteteve, secila premierë e reprizë është ngjarje për tu veçuar në të gjitha skenat teatrore e muzikore, ekspozita e të tjera.

Dua të veçoj një ekspozitë të jashtëzakonshme që ndodhi në teatrin tonë, e cila nuk pati shumë vëmendje e them me keqardhje. Ekspozita me fotografi nga jeta dhe vepra e gjeniut të skenës Aleksandër Moisiu nga studiuesi Pjetër Logoreci.

Festivalet e teatrit duke filluar nga ai i Dibrës si më i vjetri këtu dhe më i riu Uskana- Fest në Kërçovë pa përjashtim janë ngjarje të rëndësishme, festa teatrore që duhet t’i bashkojnë artistët dhe të kenë vëmendjen e institucioneve shtetërore. Bashkëpunimi i projektit festivali “Moisi” është një arritje e teatrove shqiptare mbarëkombëtare.

Kualifikimi i kombëtares shqiptare në “Euro 2024” gjithashtu është një arritje që na bën zemrat bashkë kudo që ndodhemi, uroj me gjithë shpirt që të fitojnë kupën djemtë tanë!

Profesionistëve në të gjitha fushat e artit, kulturës, shkencë, mjeksi, arsim, teknologji, mediave, gazetarëve ju uroj punë të denjë mbarësi e mirësi.

Uroj mirëqenie e dinjitet, respekt për çdo njeri punëtor, për çdo amvise që punon pandërprerë e si shpërblim kërkon vetëm mirënjohjen.

Uroj respekt e dashuri për fëmijët, moshat e treta, mbështetje pa kushte për rininë, nxënësit, studentët, profesionistët.

Uroj shumë, dashuri, mirëkuptim, begati, suksese jetë e shëndet në radhë të parë, për ju, familjet tuaja, për stafin dhe lexuesit e Portalb.mk dhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen!

Paqe dhe dashuri në këtë botë të trazuar, uroj të marrin fund të gjitha konfliktet dhe luftërat.  Zoti i bekoftë njerëzit e mirë! Zoti e bekoftë popullin tonë!

Ismail Kasumi
Ismail Kasumi

Sukseset e aktorit Ismail Kasumi …

Sukseset e mia për këtë vit kanë qenë: pjesëmarrës në tri projekte filmike të metrazhit të gjatë në Kosovë. Dy premiera të filmit të metrazhit të gjatë në Maqedoni, në njërin prej tyre në rol kryesor. Një projekt filmi i metrazhit të gjatë nga Shqipëria në bashkëprodhim me Maqedoninë si producent ekzekutiv. Imazh i brendit më të njohur të modës në Maqedoni Elena Lluka nga Shkupi. Katër tregime filmike në Maqedoni.

Si emra të suksesshëm veçon Driton Ramadani, (Producent) Kastriot Abdyli (regjisor dhe producent) dhe Kushtrim Bekteshi (regjisor)

Arritje në shkencë…

Është një arritje në mjekësi me dr. Ilir Hasanin, që bashkë me stafin e tij për herë të parë në Republikën e Maqedonisë së Veriut iu qasën kurrizit torakal në mënyrë minimale invazive me torakoskop. Me këtë, hapën një faqe të re në historinë e Kirurgjisë Spinale në vendin tonë.

Porosia…

Mos bëni zhurmë për asgjë! Paçi shëndetin dhe fatin në jetë!