Banorët në zonat rurale të Maqedonisë së Veriut “vendosin kushte” për faturat e rrymës

Padëgjueshmëria qytetare, përkatësisht refuzimi i pagesës së faturave të rrymës në disa fshatra, ka nxitur debat për mosfunksionimin e institucioneve të shtetit, raporton REL. Banorët e disa fshatrave në Maqedoninë e Veriut kanë penguar ekipet e korporatës energjetike, EVN, për vendosjen e njehsorëve të rinj jashtë objekteve të banimit, me kërkesën që t’u falet borxhi paraprak.

Së fundmi, banorët e fshatit Sllupçan në rrethinën e Kumanovës, krahas faljes së borxhit paraprak, kanë kërkuar që vendosja e lidhjeve të reja me njehsorë të rinj të bëhet pa pagesë. Ata, po ashtu, kërkojnë që pavarësisht se sa rrymë do të harxhojnë, të mos u faturohen më shumë se 3000 denarë (50 euro), dhe të lirohen tërësisht nga pagesa e energjisë objektet fetare.

Selajdin Shahini nga fshati Sllupçan thotë për Radion Evropa e Lirë se mbeten te kërkesat e tyre për faljen e borxhit. Sipas tij, nëse Qeveria mori vendim t’ua falë borxhin komunave, pse të mos ua falë borxhin qytetarëve në kohë krize dhe inflacioni.

“Sllupçani nuk ka aq borxh sa thonë, apo reklamohet në media të caktuara. Le ta shohin sa borxh ka Qeveria, institucioni gjyqësor dhe institucionet policore apo institucionet e tjera dhe nuk veprohet. Kjo është e para, dhe e dyta – pse fillohet me vendbanimet shqiptare, e në fshatrat në lindje të Maqedonisë [së Veriut]orët për matjen e rrymës nuk i nxjerrin jashtë?! Jemi minj eksperimentalë ne? Nuk i nxjerrin orëmatësit jashtë shtëpive në Kumanovë ku janë maqedonasit, po vijnë vetëm te ne dhe kërcënojnë me ndaljen e rrymës”, shprehet Shahini.

Ai e konsideron të padrejtë që banorët e kësaj ane të dënohen me ndaljen e rrymës, përderisa në këtë rajon ka shumë stalla kafshësh dhe veprimtari ekonomike, të cilave ndalja e rrymës u shkakton dëme të mëdha.

Të enjten ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka qenë i prerë se “çdo qytetar që furnizohet me energji elektrike në shtet, ka detyrim të paguajë energjinë elektrike për aq sa ka konsumuar”.

“Ministria e Ekonomisë, në përputhje me kompetencat që dalin nga Ligji për energjinë, krijon një mjedis për të reduktuar humbjet në transmetimin e energjisë elektrike, si dhe përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike. Prandaj, kërkojmë që çdo qytetar të paguajë për atë që ka shpenzuar, sepse kështu funksionon ekonomia e tregut”.

“Ftojmë të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre dhe të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike në Sllupçan dhe fshatrat përreth dhe të mundësojnë punën e ekipeve të EVN-së”, ka theksuar Bekteshi.

Nga ana tjetër, Konstadin Dimitrov, ekspert i energjetikës, thotë për Radion Evropa e Lirë se organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë duhet të veprojnë, në të kundërtën del qartazi se policia është në bashkëpunim me ata që refuzojnë të paguajnë për energjinë elektrike të shpenzuar.

“Ose ne nuk kemi polici, ose policia bashkëpunon me ata që vjedhin energjinë elektrike. Nëse policia është e paftë, atëherë përgjegjësia bie mbi ata që e drejtojnë policinë, në këtë rast Ministrinë e Punëve të Brendshme gjegjësisht Qeverinë. Do të thotë se Qeveria në mënyrë indirekte mbështet një situatë të këtillë [mospagesën e faturave], në rajone të caktuara”, konsideron Dimitrov.

Nga kompania energjetike, EVN, theksojnë se humbjet në fshatin Sllupçan janë rreth 80 për qind, ndërsa pagesa është vetëm 20 për qind duke nënvizuar se kyçjet e paligjshme shkaktojnë defekte të mëdha duke lënë pa energji elektrike për shumë ditë edhe fshatrat fqinje.