Banorët e Orizares kanë hyrë në hapësirat e EVN Kumanovë, të punësuarit lëshuan vendet e punës

Një grup i revoltuar i banorëve të fshatit Orizar,e të cilët nga dje nuk kanë rrymë elektrike, kanë hyrë me dhunë në objektet e EVN-së në Kumanovë, transmeton Portalb.mk.

Nga atje thonë se punëtorët e QEK Kumanovë janë larguar nga puna për arsye sigurie dhe për mosekzistimin e kushteve të punës.

Deri në krijimin e kushteve normale të punës, Qendra Energjetike e Konsumatorëve EVN – Kumanovë nuk do të funksionojë”, kanë thënë QEK Kumanovë.

Kjo vjen pasi banorët e fshatit Orizare dhe Sllupçan kanë mbetur pa energji elektrike pas një defekti të shkaktuar nga banorët e zonës pas një depërtimi në rrjet. Banorët e Sllupçanit të Likovës dje nuk kanë lejuar sërish që ekipet e EVN-së të punojnë.

EVN njoftoi se nuk do ta rregullojnë defektin derisa të krijohen kushte pune me siguri të garantuar për punëtorët e Elektrodistribucionit.

“Defekti në furnizimin me energji elektrike në fshatin Sllupçan është rezultat i shfrytëzimit të paligjshëm të vazhdueshëm të energjisë elektrike. Fatkeqësisht, disa nga fshatrat e Likovës janë gjithashtu të prekura nga kjo dhe përballen me ndërprerje të furnizimit. Ekipet e “Elektrodistribucioni” gjatë kryerjes së aktiviteteve të rregullta të punës apo riparimit të ndonjë defekti në këtë fshat shpesh përballen me sulme verbale dhe fizike. Kjo ndodhi pikërisht sot”, njoftoi dje Elektrodistribucioni.

Ekipet e EVN-së kanë punuar gjatë gjithë natës për riparimin e defektit në fshatrat Vaksincë, Aleshevcë, Runicë, Izvor dhe Bellanovcë.

Gjatë natës është shkaktuar defekt i ri nga banorët e Sllupçanit, i cili ka lënë pa energji elektrike fshatrat Matejce, Vishticë dhe Nikushtak. Ky defekt është rregulluar dhe është normalizuar furnizimi edhe në këto fshatra. Defekti në vendkalimin kufitar Tabanovc është sanuar dje për një kohë të shkurtër, thonë nga kompania.

Dje banorët e fshatit Sllupçan sërish kanë refuzuar të lejojnë hyrjen e ekipeve të EVN-së dhe kanë dërguar kërkesa, siç thonë nga EVN, të palogjikshme, të cilat sipas kompanisë janë në kundërshtim me rregulloret ligjore.

Ata kërkuan që t’u falen borxhet paraprake, të cilat sipas të dhënave të EVN-së arrijnë në disa mijëra euro. Ata kërkojnë edhe lidhje të reja pa pagesë, si dhe faturat e rrymës të mos faturohen më shumë se 3000 denarë, pavarësisht se sa shpenzojnë, ndërsa objektet fetare të lirohen nga pagesa e energjisë elektrike.

Ndërkohë Ministria e Ekonomisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve në vend që të shlyejnë rregullisht detyrimet ndaj kompanive energjetike.

Çdo qytetar që furnizohet me energji elektrike në shtet ka detyrimin të paguajë energjinë elektrike aq sa ka konsumuar.

Ministria e Ekonomisë, në përputhje me kompetencat që dalin nga Ligji për Energjinë, krijon një mjedis për të reduktuar humbjet në transmetimin e energjisë elektrike si dhe përdorimin e paautorizuar të energjisë elektrike.

Për këtë arsye kërkojmë që çdo qytetar të paguajë për atë që ka shpenzuar sepse kështu funksionon ekonomia e tregut.U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve kompetente që të veprojnë sipas kompetencave të tyre dhe të zgjidhin problemin e furnizimit me energji elektrike në Sllupçan dhe fshatrat përreth dhe të mundësojnë punën e ekipeve të EVN Maqedoni.

Rreth tre javë më parë, banorët e zonës premtuan se do të lejojnë punën e ekipeve të EVN-së. Me ta u takuan ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi. Humbjet në Sllupçan janë 80 për qind, ndërsa pagesa është 20 për qind, thotë EVN.

Në fillim të muajit të kaluar, banorët e fshatit ua bllokuan rrugën ekipeve të EVN-së dhe nuk i lejonin të hyjnë në fshat.

EVN-ja asokohe kishte njoftuar se me këtë tentativë për kyçje të paligjshme arbitrare është shkaktuar defekt i madh, i cili ka lënë pa energji elektrike edhe fshatrat fqinje.