“Institucionalizimi” në Status Quo

Ka njerëz të cilët nuk i duan ndryshimet. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimet kushtetuese të cilat janë iniciuar në kuvend dhe lidhur me të cilat është caktuar seancë plenare me datën 18 Gusht. Ka njerëz të cilëve nuk u pëlqen të ndryshojnë, të përparojnë dhe të dalin nga përditshmëria e të sfidohen me diçka më tepër. Në fakt ka shumë njerëz të tillë, prandaj edhe hezitimi për të bërë ndryshime të mëdha që kanë për qëllim të na çojnë përpara është kaq i madh.

Njerëzit mësohen edhe në të mirë edhe në të keq. Njerëzit janë qenie shumë adaptabile. Pas një kohe të caktuar gjithçka shndërrohet në rutinë, dhe njeriu e bën vendin e vet dhe ndaj kësaj pozite krijon inercion dhe nuk dëshiron të bëjë ndryshime. Ka një film që quhet “Shawshenk Redemtion” që bën fjalë për dënimin me burg të përjetshëm. Njëri nga personazhet e këtij filmi sqaron që njerëzit që vijnë në vuajtje të dënimit në këtë burg, adaptohen aq shumë aty me kalimin e kohës, sa që kur dalin në liri nuk mund të gjinden dot. Kështu që në liri ata përfundojnë ose duke bërë sërish krim që të rikthehen aty ku ishin, ose përfundojnë me vetëvrasje. Këtë adaptim kaq të theksuar me gjendjen Status Quo brenda burgut ai e përshkruan me termin “institucionalizim”. I burgosuri bëhet pjesë e institucionit dhe adaptohet aq shumë aty sa që nuk njeh tjetër realitet në të cilin mund të ekzistojë. Kjo gjendje është e vërtetuar edhe në teoritë penologjike ku në mënyrë ironike thuhet se në burg janë të vështira vetëm dhjetë vitet e para, pastaj mësohesh.

Ne kemi jetuar në një gjendje të Status Quo-së për më shumë se dhjetë vjet. Kemi afër 30 vjet që presim integrim në UE, presim të bëhet më mirë, presim të rregullohen gjërat. Por gjatë këtyre 30 vjetëve edhe neve na ka ndodhur “institucionalizimi” dhe jemi mësuar të jetojmë në kaos ku rendi nuk funksionon, ku ligjet nuk respektohen, ku ambienti jetësor është i ndotur dhe ku problemet zgjidhen më së shpeshti në mënyra joinstitucionale. Tani kemi marrë përsipër obligime që ta ndryshojmë këtë realitet dhe të bëhemi pjesë e diçkaje më të madhe, që do të sjellë rend dhe kontroll në jetët tona dhe në institucionet tona, do të sjellë mënyrë tjetër të funksionimit, të bazuar në ligj dhe jo në vullnetin apo kapricet e dikujt. Kemi vendosur të sfidohemi më shumë dhe të dalim nga ky qorrsokak. Por ja që ka të tillë që janë komodë në atë qorrsokak dhe jo vetëm që nuk duan të dalin që aty, por mundohen me çdo kusht ti pengojnë edhe ata që duan të sfidohen me një realitet të ri.

Në këtë aspekt duhet të kuptohet ky hezitim i madh për të përkrahur ndryshimet kushtetuese. Ka njerëz që nuk duan të ndodhë asgjë që do ti nxjerrë ata nga zona e konforit, nga ai qorrsokak ku ata janë mbretërit e rrugës, nga ai burg ku megjithatë, fjala e tyre ka peshë. Ata preferojnë jetën në kaos para ndryshimit i cili sjell shumë të panjohura. Ata preferojnë të jenë të sigurt në mëhallën e tyre pa pasur guximin të sfidohen me qëllime më të mëdha në jetë.

Dalja nga zona e konforit, kapërcimi nga e njohura tek e panjohura, zgjerimi i horizonteve tona me sfida të reja e bëjnë jetën interesante dhe rritjen tonë të vlefshme. Prandaj duhet mbledhur guxim dhe duhet bërë hapi i nevojshëm për të dalë nga kjo gjendje e Startus Quo-së në të cilën disa kanë kohë që janë “institucionalizuar”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.