Autostrada Kërçovë-Ohër do të jetë gati deri në fund të vitit 2026 edhe pse se ka probleme të shumta, paralajmëroi Nikolloski
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski thotë se deri në fund të vitit 2026 autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë dhe do të funksionojë, edhe pse ka probleme të shumta. Nikolloski sot gjatë vizitës së tij në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup tha se do të ketë ndërprerje të punimeve në këtë autostradë, por paralajmëroi edhe fillimin e ndërtimit të autostradës nga Kërçova në Bukojçan, transmeton Portalb.mk.
Pritjet e tij, siç tha ai në një deklaratë për media, janë që në një të ardhme të afërt të përfundojë rruga nga Prilepi në Gradsko, si dhe të përkushtohen seriozisht në realizimin e autostradave nga Tetova në Gostivar, nga Gostivari në Bukojçan dhe nga Prilepi në Manastir.
“Sa i përket ndërtimit të autostradës Ohër-Kërçovë ka probleme të shumta. Ne po i zbulojmë ato tani. Disa kanë të bëjnë me shpronësimin, disa kanë të bëjnë me projektimin e shpatit, disa kanë të bëjnë me objektet që janë në vetë trase, kryesisht pikat e karburantit që duhet të zhvendosen dhe janë në vetë trase. Ajo që mund të them është se si do ta bëjmë, do ta bëjmë, por do ta përmbushim premtimin që e dhamë se deri në fund të vitit 2026 do të ketë autostradë funksionale”, tha Nikolloski.
Sipas dekanit të Fakultetit të Ndërtimtarisë, Goran Markovski, mësimi i nxjerrë nga ajo që po ndodh me autostradën Ohër-Kërçovë është se projektimi i projekteve të tilla serioze të infrastrukturës, veçanërisht projekteve lineare të infrastrukturës, meriton vëmendje shumë më të madhe dhe projektim më të gjatë.
“Ka shumë elementë që janë specifik nga aspekte të ndryshme, por një përfundim i përgjithshëm që mund të nxirret është se projektimi është një fazë shumë e rëndësishme në ndërtimin e përgjithshëm të investimeve të tilla kapitale. Projekti ka një histori të gjatë. Është punuar në një kohë tjetër. Filloi të projektohet në mijëvjeçarin e fundit, në vitin 1999, me disa kuptime dhe rregulla të tjera në zgjidhjen e problemeve të caktuara teknike. Nëse kjo autostradë do të projektohej sot, sigurisht që do të trajtohej ndryshe dhe do të gjendeshin zgjidhje të ndryshme për disa probleme që po ndodhin tani”, tha Markovski.
Nikolloski në një deklaratë për media tha se është shumë më e rëndësishme që vendi të marrë më shumë kilometra autostradë se sa është nënshkruar.
Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 1 prill në seancën urgjente të 150-të me 78 vota “për” e mbështeti propozimin e Qeverisë që pas procedurës së shkurtuar të miratohet projektligji për plotësimin e Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e rrugës Miladinovc – Shtip dhe autostrada Kërçovë – Ohër. Me këtë projektligj kërkohet të shtyhet afati për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër deri në fund të vitit 2026.
Kujtojmë se, ndërtimi i autostradës ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë, janë nënshkruar 5 aneks kontrata dhe me disa prej tyre është rritur edhe çmimi. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës.
- LEXO: Ministri i ri Nikollovski premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë në vitin 2026
- LEXO: Afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër u zgjat edhe për tre vjet
- LEXO: Ky është afati që Qeveria e caktoi për mbarimin e autostradës Kërçovë – Ohër
- LEXO: Revizioni: Një kilometër i autostradës Kërçovë-Ohër kushton 9 milionë euro
- LEXO: Pas dy projektimeve, duhet edhe një projektim shtesë për autostradën Kërçovë – Ohër, paralajmëroi Boçvarski