Ky është afati që Qeveria e caktoi për mbarimin e autostradës Kërçovë – Ohër

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka shqyrtuar Informacionin për nevojën e miratimit të Ligjit për plotësimin e Ligjit për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e rrugës Miladinovci – Shtip dhe aksit rrugorë Kërçovë – Ohër, me qëllim të lidhjes së Aneksit nr. 6 të kontratës për ndërtimin e autostradës, aksi Kërçovë – Ohër, dhe i miratoi propozim- dispozitat të plotësimit, transmeton Portalb.mk.

“Me plotësimet e përcaktuara ligjore, 31.12.2026 është paraparë si afat përfundimtar në të cilin Kontraktori duhet të përfundojë punimet në këtë aks autostrade. Shkak i shtyrjes së afatit të ndërtimit janë 13 rrëshqitje të reja të shfaqura në trase, si pasojë e projektit fillestar joadekuat dhe fillimit të parakohshëm të ndërtimit të këtij seksioni”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Kujtojmë se, ndërtimi i autostradës ka filluar në vitin 2014 dhe afati i ndërtimit është zgjatur disa herë, janë nënshkruar 5 aneks kontrata dhe me disa prej tyre është rritur edhe çmimi. Për ndërtimin e autostradës deri më tani janë shpenzuar rreth 440 milionë euro dhe rreth 160 milionë kanë mbetur nga kredia kineze për përfundimin e autostradës. Drejtori i NP RRSh-së, Ejup Rustemi, deklaroi më 18.02.2024 se, autostrada Kërçovë-Ohër është një projekti i keq, por edhe pse i kanë shqyrtuar të gjitha mundësitë, kur të realizohet 80% e projektit, nuk ka kthim mbrapa.