Asistentët e UT-së në bojkot, nuk kanë marrë rroga për 9 muaj, rektori thotë se së shpejti do zgjidhet problemi

Asistentët e angazhuar me kontratë në vepër në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës bojkotojnë mësimin praktik që nga fillimi i këtij viti akademik. Arsyeja e këtij bojkoti është mosrealizimi i pagesave të asistentëve sipas kontratës për vitin 2022 dhe 2023, shkruan Portalb.mk.

Asistentët në një deklaratë për shtyp para universitetit theksuan se në fillim të këtij semestri akademik është bërë kërkesë me shkrim deri te Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë dhe Rektorati që në momentin që do të realizohet pagesa e të gjithë semestrave në mënyrë retrograde deri në janar të vitit 2024 mësimi praktik do të vijojë në mënyrë të rregullt nga ana e tyre.

“Pas kësaj kërkese u realizua pagesa vetëm për dy muaj ndërkohë janë edhe tre semestra të plotë pa u paguar, që do të thotë 9 muaj”, theksuan asistentët.

Ata thanë se bojkoti do vazhdojë deri në pagesën e të gjithë semestrave paraprak, ndërsa nënvizuan se kanë drejtuar letër në Rektorat me 28 mars, por nuk kanë përgjigje për shqetësimin e tyre.

Nga ana tjetër, rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zendeli në një deklaratë për Portalb.mk theksoi se ky problem do të zgjidhet së shpejti por pa treguar se kur konkretisht.

“Nga dita e parë që e kam marrë mandatin, një nga angazhimet e mia ka qenë krijimi i gjendjes sa më stabile financiare në universitet. Kjo është arritur edhe përmes themelimit të sindikatës, sindikatat patën angazhimet e tyre, kishin protesta, dhe tash pagat e profesorëve janë rritur për 22% dhe gradualisht kjo krijon një gjendje më të mirë, që do të thotë se kanë filluar të realizohen edhe pagesat edhe për profesorët PartTime dhe shumë shpejt edhe kjo pjesë do të mbulohet në tërësi dhe besoj se institucioni nuk do t’i mbetet borxh askujt dhe do të shkojë gjithçka mirë”, tha Zendeli.

Kujtojmë që muajin e kaluar punonjësit e Universitetit të Tetovës protestuan për shkak të mosnënshtrimit të Marrëveshjes Kolektive nga Parlamenti për rritjen e rrogave si në Universitetin Shën “Kirili dhe Metodi”. Parlamenti pak ditë më pas me procedurë të shkurtuar miratoi ligjet për plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë me çka unifkikohen pagat në arsimin e lartë publik.