“Deponia” e veturave në parking, Spitali i Tetovës: Janë të institucioneve të tjera, po ndërmarrim veprime për largimin e tyre
Veturat e vjetra, të papërdorura dhe të dëmtuara që prej muajsh qëndrojnë në parkingun e Spitalit Klinik të Tetovës, janë pjesërisht në pronësi ose në përdorim të institucioneve të tjera që veprojnë në afërsi të spitalit. Kështu bëjnë të ditur nga Spitali i Tetovës, pas pyetjeve të Portalb.mk lidhur me këtë problem.
Nga spitali thonë se largimi i tyre nuk mund të bëhet menjëherë, pasi duhet të ndiqen procedurat administrative dhe të koordinohet me institucionet që janë pronare ose përdoruese të automjeteve.
“Sa i përket automjeteve të vjetra, të papërdorura dhe të dëmtuara që ndodhen në hapësirat e parkingut, ju informojmë se një pjesë e tyre janë në pronësi ose përdorim të institucioneve të tjera që veprojnë në afërsi të spitalit”, thonë nga Spitali i Tetovës.

Sipas tyre, institucioni tashmë është duke ndërmarrë veprimet përkatëse për zgjidhjen e problemit, por duke mos dhënë afat se kur do largohen.
“Largimi i këtyre automjeteve kërkon ndjekjen e procedurave përkatëse administrative dhe koordinimin me institucionet pronare/përdoruese. Spitali është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme në kuadër të kompetencave të tij, me qëllim që kjo çështje të rregullohet dhe hapësirat e parkingut të lirohen në përputhje me procedurat”, thuhet në përgjigjen e spitalit.

Qytetarët që folën për Portalb kërkuan largimin e tyre, duke e cilësuar situatën si të papërshtatshme, sidomos për shkak të mungesës së hapësirave të parkimit gjatë ditës.
Ndërkohë, hapsira e parkingut mbetet e kufizuar, ndërsa veturat e braktisura vazhdojnë të zënë vende që mund të shfrytëzohen nga pacientët dhe qytetarët.