Kaos në Spitalin e Tetovës: ASh-ja akuzon për ryshfet në konkurs dhe paga të vonuara, spitali mohon

Konkursi i fundit i punësimeve në Spitalin e Tetovës ka nxitur përsëri reagime në opinion, Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar për korrupsion dhe paga të vonuara, ndërsa spitali i ka mohuar, shkruan Portalb.mk.

Sipas Aleancës për Shqiptarët konkursi i punësimeve ka dështuar.

“Informacionet për ankesa të shumta lidhur me nepotizëm, ryshfet dhe korrupsion në procesin e punësimit janë alarm serioz dhe dëshmi e një sistemi të degraduar, ku punësimi i ndershëm dhe dinjiteti i profesionistëve po nëpërkëmben”, thonë nga ASh-ja.

Ata thonë se punonjësit janë lënë edhe pa paga.

Nga ana tjetër, Spitali i Tetovës njoftoi se procesi i konkursit për punësim në këtë institucion është duke u zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat dhe afatet ligjore në fuqi.

“Në disa profile të caktuara janë paraqitur ankesa nga kandidatët pjesëmarrës në konkurs. Këto ankesa do të trajtohen dhe shqyrtohen nga komisionet përkatëse, në përputhje me rregulloret dhe legjislacionin në fuqi, me qëllim garantimin e një procesi të drejtë dhe transparent”, thanë nga Spitali i Tetovës.

Nga aty shtuan se ditëve në vijim pritet të fillojë faza e parë e dhënies së vendimeve, proces i cili pritet të përmbyllet brenda kësaj jave.

Sa i përket çështjes së pagave, Spitali Klinik i Tetovës informoi se pagat për muajin janar janë realizuar.

“Institucioni është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor, nga të cilat pritet që brenda javës në vijim të merret përgjigje lidhur me sigurimin e mjeteve financiare për periudhën në vijim, thanë nga Spitali i Tetovës.

Kujtojmë se edhe konkursi paraprak në Spitalin e Tetovës u përcoll më shumë bujë, protesta dhe ankesa. Fillimisht konkursi u zvarrit për disa muaj, ndërsa më pas nuk u pranuan të gjithë të punësuarit me kontrata në vepër ashtu siç u premtua.