ASH-ja e Selës në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm do ta mbajë Kongresin e rregullt
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të pestë të Aleancës për Shqiptarët krahu i Ziadin Selës ka miratuar vendim për thirrjen e Kongresit të rregullt të partisë i cili pritet të mbahet në gjysmën e parë të vitit të ardhëshëm 2026, njofton Portalb.mk.
Pas këtij vendimi, siç informuan nga partia, Kuvendi ka formuar edhe Komisionin Qendror për organizimin e Kongresit, i cili do të udhëhiqet nga deputetja Ilire Dauti. Ky komision do të ketë për detyrë që deri në mbajtjen e Kongresit të organizojë edhe ristrukturimin e nëndegëve, degëve dhe organeve të tjera të partisë.
Në mbledhjen e sotme është prezentuar edhe raporti për zgjedhjet e fundit lokale, ndërsa është diskutuar edhe për situatën politike në vend.
“Aleanca për Shqiptarët me këto vendime fillon riorganizimin dhe forcimin e strukturave partiake, për rikthimin e partisë në forcën më të madhe politike të shqiptarëve në vend, duke zhvilluar ideologjinë, programin dhe vizionin politik”, thuhet në kumtesën nga ASH-ja.
Kujtojmë se përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.
Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa Sela me Frontin Evropian.
Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian.
Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian).
Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.