Sela: Ka një parti Lidhja Shqiptare, por unë jam kryetar i ASH-së

Në një intervistë për emisionin Click Plus në TV21, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, komentoi situatën rreth çështjes së vulave të partisë dhe zërave për krijimin e një subjekti të ri politik. Sela deklaroi se nuk e përjashton mundësinë e formimit të një partie të re, por theksoi se parimi i tij mbetet i pandryshueshëm: ai nuk pranon t’i merret ajo që ka ndërtuar vetë, transmeton Portalb.mk.

“Ne nuk e kemi problem të krijojmë edhe subjekt të ri politik. Por unë kam një parim në jetë: siç nuk pranoj të marrë diçka që nuk më përket, ashtu nuk lejoj që dikush tjetër të marrë atë që e kam ndërtuar,” tha Sela.

Pjesa më e diskutueshme ishte përmendja e Lidhjes Shqiptare, një parti që ekziston në Regjistrin e partive politike, të cilës Sela ia përmendi edhe emrin e kryetares, Arbëresha Selimi.  Por, në vend që të sqaronte nëse ky subjekt është “rezervë” apo krejt tjetër nga Aleanca për Shqiptarët, deklaratat e tij e lanë situatën edhe më të paqartë.

“Ka një parti që quhet Lidhja Shqiptare dhe ka kryetaren e saj…Është një zonjushë, Arbëresha Selimi, është kryetare e Lidhjes Shqiptare, por unë jam kryetar i Aleancës për Shqiptarëtkëto janë të dhëna publike, nuk e kemi regjistruar…nuk është regjistruar në ilegalitet” tha Sela, pa sqaruar nëse Lidhja Shqiptare është një opsion rezervë i tij në rast se nuk i jepen vulat, apo një subjekt krejtësisht i pavarur nga ASH.

Kjo mënyrë e përgjigjes vetëm e rriti konfuzionin në publik, për arsye se Sela nuk e mohoi qartë që Lidhja Shqiptare mund të përdoret si alternativë politike.

Ndërkohë, Sela shprehu bindjen e tij të plotë se çështja e vulave do të mbyllet sërish në favor të tij.

“Dy herë është vendosur në favorin tonë në lidhje me vulat, dhe nuk ka pse mos të vendoset edhe për të tretën herë, që vulat na takojnë ne”, tha mes tjerash Ziadin Sela duke shtuar se në aspektin juridik, ende nuk i kanë vulat.

Ndryshe, në opinion prej muajsh aludohet se grupi i Selës janë regjistruar si parti e re, megjithatë nga ky subjekt deri tani nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Kujtojmë se përçarja e parë në Aleancën për Shqiptarët ndodhi para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale 2024, kur Arben Taravari dhe Ziadin Sela i ndanë rrugët dhe u krijuan dy fronte.

Taravari në zgjedhje shkoi me koalicioni VLEN ndërsa Sela me Frontin Evropian. 

Pas zgjedhjeve, Aleanca e Taravarit hyri në Qeveri si pjesë e koalicionit VLEN, ndërsa Aleanca e Selës mbeti në opozitë me Frontin Evropian. 

Përçarja e dytë në Alencën për Shqiptarët të Taravarit ndodhi pak para se të mbushen një vit nga pjesëmarrja në qeveri dhe pak muaj para zgjedhjeve lokale. ASh-ja e Taravarit vendosi ta braktisë Qeverinë dhe koalicionin VLEN, ndërsa në zgjedhjet lokale shkoi në koalicion me AKI-në (Frontin Evropian). 

Megjithatë një grup funksionarësh që ishin me Taravarin, të prirë nga Arben Fetai vendosën të ngelin në koalicionin VLEN dhe Qeveri duke u thirrur në Aleancën për Shqiptarët.