ASH akuzoi EVN-në për dështim sistematik në furnizimin me rrymë dhe arrogancë ndaj qytetarëve

Në këto ditë të acarta dimri, kur temperaturat zbresin nën zero dhe familjet tona përpiqen të sigurojnë ngrohje e kushte minimale jetese, rajone të tëra të Kumanovës, Shkupit, Tetovës e Gostivarit po përballen me një krizë të papranueshme: mungesën e energjisë elektrike nga furnizuesi universal EVN Home, thonë nga ASH e Ziadin Selës, transmeton Portalb.mk.  

“Ndërprerjet nuk janë më raste të izoluara – ato zgjasin me orë të tëra, shpesh ditë të plota, duke paralizuar jetën e përditshme të qytetarëve. Ky fenomen nuk është thjesht një “defekt teknik”, por një dështim sistematik i një kompanie që ka për detyrë të sigurojë furnizim të pandërprerë për konsumatorët”, thuhet në reagim.

Pasojat sipas ASH-së janë të rënda:

– familjet mbeten pa ngrohje, duke rrezikuar shëndetin e fëmijëve dhe të moshuarve.
– bizneset lokale humbasin prodhim e klientë, duke u goditur rëndë në periudhën më të ndjeshme të vitit.
– mërgimtarët, kontribuesit kryesorë të ekonomisë vendore, kthehen në vendlindje për të gjetur shtëpi të ftohta e të errëta – një mirëseardhje e turpshme që flet për paaftësinë e institucioneve.
– me këto veprime, gurbetçarët detyrohen të ikin më shpejt nga vendlindja, duke e shkurtuar kohën e qëndrimit të tyre. Kjo sjell humbje të drejtpërdrejtë për ekonominë lokale, sepse shpenzimet e tyre për konsum, investime dhe aktivitete biznesi reduktohen ndjeshëm. Vitet e ardhshme, shumë prej tyre mund të mos kthehen më, duke i privuar bizneset nga një burim i rëndësishëm të ardhurash.

“Është e paimagjinueshme që në rajone ku janë instaluar matësit sipas standardeve të vetë kompanisë EVN Home, të vazhdojnë ndërprerjet e furnizimit dhe defektet e pafundme. Kjo nuk është thjesht paaftësi teknike – është arrogancë e pastër, një neglizhencë e papranueshme që tregon mungesë respekti për konsumatorët.
EVN Home ka detyrimin ligjor të sigurojë furnizim të pandërprerë dhe të vazhdueshëm me energji elektrike. Çdo ndërprerje e zgjatur është shkelje e këtij detyrimi dhe një dëshmi e dështimit për të përmbushur misionin bazë: sigurimin e energjisë elektrike për qytetarët. Ky nuk është një problem teknik i zakonshëm – është një skandal energjetik që kërkon reagim të menjëhershëm. Nuk mund të pranojmë që në zemër të Evropës, në vitin 2025, qytetarët dhe mërgimtarët të jetojnë pa energji elektrike në ditët më të ftohta të vitit. EVN Home duhet të japë përgjigje, jo justifikime”, thuhet në reagim.  

Kujtojmë se banorët e Seravës së Çairit kanë mbetur pa rrymë prej disa ditësh. Nga revolta ata dolën dhe bllokuan rrugën e njohur si rruga e Plastikave, ngaqë defekti i rrjetit nuk po sanohet. Thonë se do të protestojnë çdo ditë në periudhën më të ngarkuar të ditës. Banorët thonë se nuk do heqin dorë derisa të rregullojnë problemin me energjinë elektrike që sipas tyre tani e 48 orë janë pa rrymë dhe janë detyruar të evakuojnë pleqtë dhe fëmijët nga shtëpitë e tyre.

Sikur të mos mjaftojë fakti që konsumatorët s’kanë rrymë, Komisioni Rregullator i Energjetikës miratoi vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në të gjitha blloqet e konsumatorëve. Sipas vendimit, i cili do të zbatohet nga 1 janari 2026, rritja e çmimit varion nga 2.45 deri në 3.84 përqind, varësisht nga blloku në të cilin bie konsumi. Çmimi i energjisë elektrike të lirë do të jetë gjithashtu më i lartë për 2.5 përqind.