Serava e Çairit dy ditë pa rrymë, protestë kundër EVN-së duke bllokuar rrugën e “Plastikave”

Tani e dy ditë banorët e Seravës së Çairit kanë mbetur pa rrymë. Nga revolta ata dolën dhe bllokuan rrugën e njohur si rruga e Plastikave, ngaqë defekti i rrjetit nuk po sanohet. Thonë se do të protestojnë çdo ditë në periudhën më të ngarkuar të ditës. Banorët thonë se nuk do heqin dorë derisa të rregullojnë problemin me energjinë elektrike që sipas tyre tani e 48 orë janë pa rrymë dhe janë detyruar të evakuojnë pleqtë dhe fëmijët nga shtëpitë e tyre, transmeton TV21.

Qindra banorë që kanë bllokuar rrugën thonë se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë, deri sa të sanohet defekti. Ata dyshojnë se defekti është i qëllimshëm për t’ua ndalur rrymën në netët e ftohta dhe në prag të festave.

“Njerëz të paralizuar, ka fëmijë e dridhen gjithë natën, janë me maska oksigjeni që aktivizohen me rrymë, duhet të mbijetojnë disi! Sa shtëpi ka përafërsisht? Rreth 300 në lagjen Serovë, Gazi Babë, Pllastikat. Ja këta paguajnë nga 1,200 euro, që vëllau ku është, ky person paguan 1,200 euro rrymë”, u shpreh një banor

“Fëmijët shkojnë në shkollë e në terr nuk kanë si të lexojnë, turp është ky në Shekullin XXI mos të ketë rrymë. Sa banorë ka në këto lagje? Ka 700-800 banorë por edhe Dyqanxhiku arrin në 1,000 banorë”, tha një banor tjetër.

Nga EVN thonë se defekti në lagjen Seravë ka ndodhur që nga e diela dhe nuk dihet kur do të sanohet.

“Për një periudhë më të gjatë banorët e rrugëve “Ismail Kadare” dhe “Kumbara” e pengojnë projektin për rikonstruimin e rrjetit dhe zhvendosjen e orëmatësve. Ndaj ekipeve të kompanisë vazhdimisht drejtohen kërcënime verbale, me çka u pamundësohet tërësisht funksionimi”, thonë nga EVN-Home.

Nga EVN shtojnë se për sa kohë që ekipet nuk kanë qasje për realizimin e projektit për rikonstruimin e rrjetit të tensionit të ulët, do të jetë e pamundur të sanohen defektet, të cilat sipas tyre do të vazhdojnë të shfaqen edhe në të ardhmen si pasojë e mbingarkesës nga kyçjet ilegale. Sipas elektro distributorit EVN-Home në këtë rajon, humbjet tejkalojnë 70%, ndërsa pagesa është 60% të konsumit të rrymës.

Kujtojmë se Komisioni Rregullator i Energjetikës miratoi vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në të gjitha blloqet e konsumatorëve. Sipas vendimit, i cili do të zbatohet nga 1 janari 2026, rritja e çmimit varion nga 2.45 deri në 3.84 përqind, varësisht nga blloku në të cilin bie konsumi. Çmimi i energjisë elektrike të lirë do të jetë gjithashtu më i lartë për 2.5 përqind.