Arsimi dhe kultura në vend numëro, KE-ja ia përsëriti ‘refrenin’ e vitit të kaluar Maqedonisë së Veriut

Asgjë, tekstualisht asgjë nuk është bërë për tre rekomandimet kyçe që i dha Komisioni Evropian Maqedonisë së Veriut në vitin 2022. Të njëjtat vlejnë edhe këtë vit. Raporti i KE-së për progresin në Kapitullin 26: Arsimi dhe kulura, është identik me atë të vitit të kaluar. Vendi vazhdon të mbetet mesatarisht i përgatitur në këtë fushë. Njëjtë si edhe në periudhën paraprake raportuese edhe në këtë periudhë, është bërë përparim i kufizuar me miratimin dhe prezantimin e udhëzimeve dhe programeve për të forcuar përfshirjen dhe promovimin e aftësive të gjelbra. Zbatimi i strategjisë së arsimit 2018-2025 ka vazhduar të jetë të jetë i ngadaltë, si dhe zhvillimi i një sistemi të duhur monitorimi. Kurse, miratimi i legjislacionit kryesor u vonua përsëri, raporton Portalb.mk.

Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar mbeten të vlefshme.

Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

  • të finalizojë dhe miratojë Ligjin për arsimin e mesëm dhe Ligjin për arsimin dhe aftësimin profesional dhe ngritjen dhe funksionalizimin e qendrave rajonale të AFP-së  (Vocational Education and Training – VET);
  • miratojë Ligjin për arsimin e të rriturve dhe,
  • të përmirësojë aksesin në arsim cilësor për të gjithë, veçanërisht fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome; dhe të rrisë regjistrimin në parashkollor dhe të vazhdojë përmirësimin e mbështetjes për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.

Rekomandimet dhe vërejtjet e njëjta që u bënë në vitin 2022, mund t’i ndiqni në linkun më poshtë:

Raporti vëren edhe se Strategjia 2018-2025 për arsimin është dokumenti kryesor që rregullon sektorin e arsimit, por mekanizmat e saj monitorues nuk janë të përcaktuar mirë. Synimet dhe treguesit duhet të përmirësohen për të lejuar një vlerësim të duhur të zbatimit të reformave. Autoritetet duhet të forcojnë koordinimin ndërmjet institucioneve në zhvillimin e legjislacionit, duke siguruar një mjedis të favorshëm institucional të aftë për zbatimin e tij.

“Ligji i ri për arsimit dhe formimit profesional- AFP-në, i cili është thelbësor për AFP-në, ende nuk është miratuar. Miratimi i tij është gjithashtu i nevojshëm për të fuqizuar rolin e pesë qendrave rajonale të AFP-së (QR-AFP) të vendit. Ekziston një skemë bashkëpunimi midis kompanive të biznesit, shkollave të mesme profesionale, Odave ekonomike dhe Ministrisë së Arsimit për të mbështetur praktikën e studentëve në kompani private. Rreth 100 klasa me arsim të dyfishtë u hapën sipas kësaj skeme, të mbështetura nga partneriteti publiko-privat”, thuhet në raport.

Ligji për arsimin e të rriturve ende nuk është miratuar, kërkesë e kamotshme e Bashkimit Evropian.

“Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin u ulën lehtë në 3.71% të PBB-së në vitin 2022 (3.98% në 2021), që është ende shumë nën mesataren e BE-së prej 5%. Megjithëse është bërë njëfarë progresi në arsimin parashkollor, niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbeti më i ulët se standardet rajonale dhe të BE-së, veçanërisht për fëmijët romë. Ndërsa objektivi i BE-së për arsimin dhe trajnimin për edukimin dhe frekuentimin e kujdesit në fëmijërinë e hershme është vendosur në 96%, vetëm 42% e 3-6 vjeçarëve u regjistruan në institucione të licencuara të edukimit të fëmijërisë së hershme në vitin 2022. Përveç zgjerimit të kapacitetit për të zgjeruar arsimin parashkollor për më shumë fëmijë, u rrit cilësia e arsimit parashkollor”, thekson raporti i KE-së.

Nxënësit e klasave më të larta përgatitën një shfaqe për nxënësit e klasës së parë. Foto: Meta.mk
Nxënësit e klasave më të larta përgatitën një shfaqe për nxënësit e klasës së parë. Foto: Meta.mk

Bashkimi Evropian nënvizon se në arsimin e lartë, regjistrimi i përgjithshëm mbetet i ulët. Numri i studentëve të universitetit të regjistruar në vitin e parë të studimeve ka ardhur në rënie në 3 vitet e fundit.

Edhe pse Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë hapa drejt transformimit digjital të sistemit të saj të arsimit dhe trajnimit dhe aftësitë digjitale trajtohen përgjatë lëndëve fillore dhe të mesme, qoftë përmes lëndës së informatikës, autoritetet duhet të vazhdojnë të forcojnë përpjekjet drejt digjitale efektive, koherente dhe gjithëpërfshirëse, transformimin e sistemeve të arsimit dhe trajnimit në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë kapacitetin e sistemeve për të zhvilluar aftësi digjitale.

Maqedonia e Veriut, thekson raporti, nuk merr pjesë në ICILS (International Computer and Information Literacy Study), por ka vazhduar të marrë pjesë në Grupet e Punës të Zonës Evropiane të Arsimit (EEA) 2021 – 2025.

Agjencia Kombëtare për Erasmus organizoi dhe mbështeti më shumë se 100 aktivitete dhe ngjarje që synonin të rinjtë. Numri i pjesëmarrësve në projektet e financuara të shkëmbimit të të rinjve ishte 465 në 2022 (krahasuar me 294 në 2020).

Vendi është lavdëruar për rritjen e numrit të ndërmjetësve arsimorë romë, i cili ka arritur në 40, nga 35 në 2021, duke i vënë shërbimet e tyre të disponueshme për 28 komuna, nga 26 në 2021. Në arsimin e lartë, autoritetet dhanë 135 bursa për studentët romë. Gjatë periudhës raportuese janë dhënë 450 bursa për fëmijët në arsimin fillor për të mbështetur gjithëpërfshirjen

Trashëgimia kulturore nuk mbrohet sa duhet

Sa i përket kulturës dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, është rekomanduar që Ministria e Kulturës të hartojë një strategji të re kombëtare për 2023-2027 për zhvillimin e kulturës, duke siguruar edhe ndarjet e duhura buxhetore. Vërehet se ndarjet vjetore të buxhetit për kulturën janë ulur në mënyrë të vazhdueshme në 3 vitet e fundit.

“Reformat pas rekomandimeve të analizës funksionale të Ministrisë së Kulturës dhe organeve të specializuara u vonuan më tej. Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera përkatëse duhet të forcojnë kapacitetet e tyre për të krijuar dhe menaxhuar politika kulturore të bazuara në parime të shëndosha të administratës publike”, theksohet në Raport.

Si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, KE-ja thekson se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përforcuar reagimin institucional dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje.

Liqeni i Ohrit, Foto: Portalb.mk
Liqeni i Ohrit, Foto: Portalb.mk

“Kjo përfshin mbrojtjen e vendeve të trashëgimisë kulturore me ‘rëndësi të veçantë’, si liqeni i Ohrit dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet sa duhet”, thuhet në raport.

Theksohet se në periudhën raportuese autoritetet zhvilluan strategjinë kombëtare për rininë për 2023-2027, e cila ende nuk është miratuar.

“Në tetor 2022, Maqedonia e Veriut nënshkroi Konventën e Këshillit të Evropës për Manipulimin e Garave Sportive (Konventa Macolin), e cila u bën thirrje autoriteteve publike të bashkëpunojnë me organizatat sportive, operatorët e basteve dhe organizatorët e garave për të parandaluar, zbuluar dhe penalizuar manipulimin e garave sportive”, thuhet në raport.

Kujtojmë se edhe vitin e kaluar u bënë të njëjtat vërejtje. Sa i përket Ligjit për arsimin e të rriturve, madje ishte kërkesë urgjente në vitin 2022. Nga miratimi i këtij ligji kanë kaluar 15 vjet dhe ka lindur nevoja për miratimin e një ligji të ri. Megjithatë, vendi akoma ka mbetur në kuadrin e propozimeve, të paktën deri në prill të këtij viti, ku sipas përgjigjes nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk, nuk potencohej se çfarë po ndodh me ligjin në fjalë dhe në cilën fazë ndodhet.

Ndërkohë vendi është kritikuar edhenga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), në fushn e arsimit të integruar, për ndarjen e nxënësve në turne dhe objekte sipas përkatësisë së tyre, duke theksuar se në këtë form bartet rreziku i urrejtjes dhe mungesë e integrimit.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.