Ariu kafshoi një burrë nga Prilepi teksa po kulloste lopët

Gjatë kullotjes së lopëve, një burrë nga Prilepi është sulmuar nga një ari dhe ka pësuar lëndime të rënda, kështu që është shtruar në spitalin e Velesit, transmeton SDK.

Ngjarja ka ndodhur më 7 prill dhe personi një ditë më vonë është sjellë në spitalin e Velesit pasi ka ndier vështirësi nga lëndimet e marra.

“Në qendrën urgjente është sjellë një person i cili ankohet për lëndime në këmbë pasi është sulmuar nga një ari. Pas kontrolleve dhe regjistrimeve është konstatuar frakturë e pjesës së poshtme të këmbës së majtë, si dhe lëndime të tjera fizike. Më pas ai u transferua në neurologji, ku iu dha kujdesi i nevojshëm. I lënduari tani ndodhet në repartin e ortopedisë”, njoftojnë nga Spitali i Përgjithshëm i Velesit.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga policia e Velesit.

“Me datë 8 prill në ora 21:30 në spitalin e Velesit, C.S. (60 vjeç) nga fshati Drenovc, rajoni i Prilepit, në SPB Veles ka lajmëruar se duke kullotur lopët në malin Mukos, në fshatin Omoran të komunës së Çashkës, është sulmuar dhe kafshuar nga një ari, i cili ka ikur nga qentë e tij”, informoi Biljana Gagovska, zëdhënëse e SPB Veles.