Nga një simbol i solidaritetit, në një neglizhencë universale, kronikë e Sallës Universale në Shkup

Mëngjesin e sotëm një zjarr i madh shpërtheu në Sallën Universale në qendër të Shkupit. Policia mundohej t’i mbante njerëzit përreth, ndërsa zjarrfikësit luftonin me flakët dhe Salla Universale tashmë gjysmë e shkatërruar në më pak se një orë e vulosi vendin e saj në histori. Nga ky objekt historik ka mbetur vetëm konstruksioni i ri metalik, por edhe ai është djegur pjesërisht, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Salla Universale është (ose ishte) simbol i kulturës së Shkupit. Në të është mbajtur festivali “Zllatno Sllavejçe”, “Zllatna Bubamara na Popullarnosta”, “Skopje Jazz Festival” e ngjarje të tjera të panumërta me artistë nga vendi dhe bota.

Ndonëse tashmë gati dhjetë vite është e mbyllur dhe vazhdimisht pjesë e premtimeve për rikonstruim, historia e këtij simboli të qytetit është e ndërthurur në fakt me shumë solidaritet, si shumë prej projekteve të ndërtimit pas tërmetit në kryeqytet.

Salla Universale në Shkup. Foto: IP Salla Universale
Salla Universale në Shkup. Foto: IP Salla Universale

Ideja për sallën lindi si rezultat i organizimit të manifestimit të përvitshëm kulturo-artistik “Takimi i Solidaritetit”. Në takime kanë marrë pjesë artistë dhe ekipe sportive nga vendet që kanë ndihmuar dhe dhuruar për rindërtimin e Shkupit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963.

Por shpejt ky festival ka hasur në një problem – në Shkupin e rrënuar nuk ka pasur  hapësirë ​​adekuate për t’i mbajtur Takimet në një nivel adekuat. Kështu ka lindur ideja për një sallë “universale”.

Për ndërtimin e sallës donacione kanë bërë më shumë se 35 vende, si dhe turistët të cilët janë ndodhur në Shkup në Ditën e tërmetit, ashtu edhe siç është sqaruar në mbishkrimin e njohur para vetë sallës.

Objekti është ndërtuar nga kompania bullgare “Technoexportstroj”. Dizajni i sallës është modeluar sipas Cirkut Kombëtar në Sofje, i ndërtuar në vitin 1962, frymëzim për ndërtimin e të cilit ka qenë Cirku në Kopenhagë, i cili është modeluar sipas Panteonit në Romë.

Cirku shtetëror në Sofje. Foto: Cirku në Kopenhagë.
Cirku shtetëror në Sofje. Foto: Cirku në Kopenhagë.
Foto: Kåre Thor Olsen, CC BY-SA 3.0, via Wikimedia Commons
Foto: Kåre Thor Olsen, CC BY-SA 3.0, via Wikimedia Commons

Ndërtimi i sallës ka filluar shumë shpejt. Edhe pse ende e papërfunduar, edicioni i dytë i  “Takimit të Solidaritetit” në vitin 1965, është mbajtur pikërisht në këtë sallë.

Pas “Takimit” të suksesshëm, në të fillojnë të mbahen “Mbrëmjet e melodive argëtuese” me dirigjent maestro Aleksandar Xhambazov, në të cilat kanë marrë pjesë muzikantë nga Sllovenia, Paraguai, Rusia, Italia dhe Bullgaria. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve në të janë shfaqur edhe dy shfaqjet e para dramatike, të realizuara nga teatri i Beogradit “Atelje 212”, “Pas dyerve të mbyllura” dhe “Duke pritur Godonë”.

Të gjitha këto ngjarje janë zhvilluar në vitin 1965, përpara se salla të hapej zyrtarisht më 10 janar të vitit 1966. Për hapjen sërish janë kujdesur “Atelje 212”, të cilët e interpretojnë shfaqjen “Viktor ose fëmijë në pushtet”.

Nga viti 1966 e këndej, Salla Universale ka qenë shtëpia e një sërë ngjarjesh të paharrueshme, ndër të cilat mund të përmendim vizitën e Orkestrës Filarmonike të Los Anxhelosit në vitin 1967, muzikllin “Hair” në vitin 1971 dhe sigurisht Festivalin legjendar të Shkupit, shtëpia e këngëtarëve si Sllave Dimitrov, Zafir Haxhimanov, Nina Spirova.

Salla ishte e njohur edhe për akustikën e saj jashtëzakonisht të mirë. Ishte kjo arsyeja që ajo u zgjodh si vendi ku do të mbahej “Skopje Jazz Festival”, edicioni i parë i të cilit u zhvillua në vitin 1985. Në festival kanë performuar legjenda nga skena botërore e xhazit si Ray Charles, Marshall Allen dhe Pat Metheny.

Salla Universale në Shkup. Foto: IP Salla Universale
Salla Universale në Shkup. Foto: IP Salla Universale

Për shumë nga ne Salla Universale është e lidhur ngushtë me kujtimet e fëmijërisë, ku që nga viti 2006, përveç shfaqjeve të shumta për fëmijë që mbahen çdo vit, mbahen edhe festivalet e muzikës për fëmijë “Potoçinja”, “Super Xvezda”, “Zllatno Sllavejçe”.

Por gjatë dekadës së fundit salla nuk ishte e mbushur me program të larmishëm.

Në vitin 2013, kryetari Koce Trajanovski njoftoi se objekti do të rrënohet dhe në vend të tij do të ndërtohet një sallë e re në formë të vezës. Në vitin 2015 salla u mbyll pasi një pjesë e tavanit filloi të shembet dhe të bjerë mbi ulëset në sallë. Në të njëjtin ajo u riemërua në Qendra e Kongresit “Aleksandri i Maqedonisë”.

Mirëpo, ideja për “vezën” dështoi dhe në mandatin e kryetarit Petre Shilegov fillon rikonstruimi i sallës me emrin e saj tashmë të njohur. Por punët për rikonstruimin e saj ndërpriten me ardhjen në krye të Qytetit të Danella Arsovskës, e cila tha se planet e ndërtimit ishin të pasigurta.

Rikonstruimi i sallës Universale në Shkup në vitin 2021. Foto: Meta.mk
Rikonstruimi i sallës Universale në Shkup në vitin 2021. Foto: Meta.mk

Më 19 shkurt të këtij viti, për rikonstruksionin e fasadës dhe mbulesës së kulmit të Sallës Universale, Ministria e Kulturës ka lidhur kontratë me kompaninë ndërtimore Universal – Ballkan, në vlerë prej 1.9 milionë euro. Një muaj më vonë, më 26 mars, në sallë u vendos një kupolë e re.

Sot salla u dogj deri në themel. Mbeti vetëm konstruksioni i saj metalik. Zjarrfikësit i shuan me sukses flakët, por me sa duket me këtë u shuan edhe shpresat për një të ardhme për këtë tempull kulturor, i cili do mbetet vetëm një pjesë e kujtimeve tona dhe në vend të saj mbase do të mbijë një “vezë” e re.