PE: Miratohet raporti për heqjen e vizave për serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta serbe

Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për përfshirjen në regjimin e udhëtimit pa viza të qytetarëve serbë të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia, mes shqetësimit të autoriteteve në Kosovë se njohja e dokumenteve të tilla do të pengojë integrimin e komunitetit serb, transmeton Zëri i Amerikës.

Të mërkurën, Komisioni miratoi me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 vota të paanshme raportin e të deputetit slloven Matjazh Nemec, i cili në fillim të muajit mars u emërua si raportues për çështjen e vizave për ata që kanë pasaporta të lëshuara nga Serbia.

Në një njoftim të komisionit thuhet se ky vendim siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ketë regjim të njëjtë të udhëtimit pa viza.

Raportuesi Matjazh Nemec tha ndërkaq se zgjerimi i liberalizimit të vizave për qytetarët serbë të Kosovës është i rëndësishëm “për të parandaluar diskriminimin ndaj këtyre qytetarëve, të cilët rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga autoritetet në Prishtinë, por qeveri e Kosovës është shprehur më herët e shqetësuar me një mundësi të tillë, meqë pasaportat e lëshuara nga një drejtori e ministrisë së Brendshme të Serbisë, i konsideron të paligjshme. Sipas qeverisë, njohja e këtyre dokumenteve të tilla, do të pengojë integrimin e komunitetit serb dhe shkel edhe frymën dhe marrëveshjet e dialogut për shuarjen e strukturave të paligjshme.

Pasaportat e tilla nuk ishin përfshirë në kohën kur ishin liberalizuar vizat për Serbinë.

Raportuesi Nemec tha se “ky vendim teknik nuk është një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por një zgjidhje pragmatike për të siguruar trajtim të barabartë”.

Ai shfaqi shpresën se Parlamenti Evropian do ta miratojë vendimin para zgjedhjeve të qershorit.

Nga një janari i këtij viti Kosova u bë pjesë e regjimit të udhëtimit pa viza, e fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.