Aplikacioni grek kundër sjelljeve devijante rinore: Mesazhi që RMV-ja nuk duhet ta injorojë 

Greqia së fundmi ka prezantuar strategjinë kombëtare për të parandaluar dhe trajtuar dhunën dhe delikuencën e të rinjve, ku në mesin e masave është edhe një aplikacion i cili u mundëson prindërve të monitorojnë dhe menaxhojnë aktivitetin online të fëmijëve të tyre. Maqedonia e Veriut ka miratuar dy strategji në këtë drejtim, mirëpo çalon në implementim. Ndërkaq, profesoresha Blerta Ahmedi thekson se rasti i Greqisë duhet të shihet si nxitje për përforcimin e zbatimit të sistemit që RMV-ja tashmë e ka ngritur. Nga Qeveria e vendit arsyetohen duke u thirrur në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit e cila u miratua së fundmi, shkruan Portalb.mk. 

Greqia me hapa konkretë planifikon të luftojë delikuencën e fëmijëve 

Greqia më 5 maj 2025 njoftoi për strategjinë kombëtare për të parandaluar dhe trajtuar dhunën dhe delikuencën e të rinjve. 

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis identifikoi tre fusha kryesore të fokusit: siguria në internet dhe varësia nga ekranet, pjesëmarrja e të rinjve në sporte dhe mbështetja për shëndetin mendor. 

Si pjesë e kësaj, është lançuar edhe aplikacioni Kids Wallet, aplikacion digjital i projektuar për të ndihmuar prindërit të monitorojnë dhe menaxhojnë aktivitetin online të fëmijëve të tyre. 

I zhvilluar nga Ministria e Qeverisjes Digjitale, aplikacioni përfshin kontrolle prindërore, verifikim të moshës dhe veçori të vërtetimit të përdoruesit.

“Po u japim prindërve një mjet të fuqishëm për të mbrojtur fëmijët e tyre në internet”, tha ministri i Qeverisjes Digjitale, Dimitris Papastergiou.

Lançimi i aplikacionit synon frenimin e dhunës te të rinjtë dhe është në përputhje me planet e BE-së për të forcuar mbrojtjen online për të miturit. 

Aplikacioni gjithashtu ofron të dhëna mbi përdorimin e pajisjeve mobile, duke u dhënë prindërve një pasqyrë më të qartë të veprimtarisë së fëmijëve të tyre në botën digjitale. 

Mitsotakis tha se kuadri i ri do të shërbejë si udhërrëfyes për veprim të qeverisë. 

“Shqetësimi ynë nuk është i përkohshëm”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar dhunën në familje dhe ngacmimin në shkollë. 

Vasso Artinopoulou, e cila udhëhoqi grupin e ekspertëve që qëndrojnë pas strategjisë, tha se qëllimi është të ndërtohet një shoqëri ku frika dhe dhuna janë përjashtim, jo normë.

“Nuk është normale të jetosh me dhunë. Ne duhet të ndryshojmë perspektivën tonë për t’u përballur me këtë fenomen”, tha ajo. 

Foto e krijuar me inteligjencë artificiale nga Portalb.mk në Sora/ChatGPT
Foto e krijuar me inteligjencë artificiale nga Portalb.mk në Sora/ChatGPT

Ku qëndron Maqedonia e Veriut? 

Republika e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të drejtësisë për fëmijët të bazuar në standarde ndërkombëtare dhe në parimin e interesit më të mirë të fëmijës.

Këtë e dëshmojnë dy dokumente strategjike shtetërore të miratuara: Strategjia e parë kombëtare për periudhën 2010–2020 dhe Strategjia aktuale për parandalimin dhe drejtësinë për fëmijët 2022–2027, e hartuar nga Këshilli Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve me mbështetjen e UNICEF-it dhe Bashkimit Evropian. 

Megjithatë ekspertë të ndryshëm disa herë kanë alarmuar se vendi çalon në implementim. 

Strategjia e tanishme ndërton një qasje gjithëpërfshirëse dhe sistematike ndaj tre kategorive të fëmijëve: fëmijët në rrezik, fëmijët në konflikt me ligjin, dhe fëmijët që janë viktima apo dëshmitarë të veprave penale. Bazuar në këto kategori, ajo organizohet në tri shtylla themelore: 

  • Parandalimi primar, që synon zvogëlimin e rrezikut për përfshirje në sjellje devijante përmes intervenimeve në shkollë, komunitet dhe familje; 
  • Parandalimi sekondar, që adreson fëmijët e identifikuar me faktorë të lartë risku; 
  • Parandalimi terciar, që përqendrohet në risocializimin e fëmijëve që kanë kaluar përmes sistemit penal. 

Strategjia përcakton në mënyrë të detajuar rolet dhe përgjegjësitë institucionale, duke përfshirë arsimin, shërbimet sociale, policinë, gjyqësorin dhe vetëqeverisjen lokale, me theks të veçantë në koordinimin ndërsektorial dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale. 

A duhet të merret për nxitje shembulli i Greqisë? 

Profesoresha universitare Blerta Ahmedi e cila është edhe kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë, thekson se përmendja e rastit të Greqisë, e cila së fundmi prezantoi një strategji të re për luftimin e dhunës dhe delikuencës te të rinjtë, duhet të shihet si nxitje për përforcimin e zbatimit të sistemit që Maqedonia e Veriut tashmë e ka ngritur. 

“Greqia po ndërton instrumente të reja, ndërkohë që vendi ynë ka një bazë të mirë normative dhe strategjike, e cila ka nevojë për mbështetje praktike, vullnet institucional dhe përfshirje të qëndrueshme të vetë komuniteteve”, tha Ahmedi.

Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blerta Ahmedi, kryetare e Këshillit Komunal për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve në Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

A e ka në plan Qeveria ta implementojë shembullin e Greqisë? 

Të pyetur nga Portalb.mk nëse vendi ka në plan të merr shembull nga Greqia, nga Qeveria e RMV-së u thirrën në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2024-2044, e cila përcakton vizionin afatgjatë për zhvillimin e vendit, me fokus në rritjen ekonomike, stabilitetin social, rigjallërimin demografik dhe një tranzicion të gjelbër.

“Në seksionin për sigurinë dhe drejtësinë e të rinjve, strategjia parashikon: rritjen e mbështetjes institucionale për të rinjtë në rrezik, programe për parandalimin e delikuencës tek fëmijët dhe të rinjtë, përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të mitur, me theks në risocializimin dhe rehabilitimin. Si dhe bashkëpunim ndërsektorial midis institucioneve për të trajtuar në mënyrë efektive delikuencën e të rinjve”, thanë nga Qeveria. 

Por nga ky institucion nuk treguan nëse kanë në plan të marrin shembull nga praktika greke ose jo. 

Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në ndërkohë, më 16 maj 2025 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u themelua Grupi Parlamentar Ndërpartiak për ndjekjen e Strategjisë Nacionale të Zhvillimit.

Ndryshe, një element i rëndësishëm i strategjisë aktuale për parandalim dhe drejtësi të fëmijëve është edhe funksionimi i Këshillave komunalë për parandalimin e delikuencës së Fëmijëve, të parashikuar me Ligjin për drejtësinë për fëmijët. Megjithatë sipas raportit për vitin 2023 të Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, nga 80 komuna vetëm rreth 30 kanë themeluar të njëjtin. Problem për të cilin Portalb.mk ka alarmuar në vazhdimësi.