Pse gjithë prindërit dhe adoleshentët duhet të shohin bashkë me sytë katër serialin “Adoleshenca”?

Seriali “Adoleshenca” (Adolescence) po pushton botën për një arsye të vetme: të çon të mendosh se çfarë fëmijësh po rrisim?! Drama tragjike ka arritur rekorde të shikueshmërisë në televizionin britanik që nga muaji mars kur filloi të shfaqet për publikun, duke u bërë emisioni i parë i transmetimit që kryeson listat e vlerësimeve. Gati 6.5 milionë njerëz ndoqën episodin e parë të serialit dhe 5.9 milionë të dytin në javën 10-16 mars, sipas të dhënave nga agjencia e vlerësimeve televizive Barb, transmeton Portalb.mk. Pas ndikimit të madh në opinion, seriali do te shfaqet falas nëpër shkollat britanike.

Siç shpjegon regjisori dhe njëkohësisht aktori kryesor i filmit, Stephen Graham, nxitja për realizimin e tij vjen prej një sërë incidentesh të dhunshme mes adoleshentëve, të cilat trondisin shoqërinë.

Historia e shtjelluar në film shërben për të kuptuar ndikimin e dëmshëm dhe nxitës të rrjeteve dhe platformave sociale te të rinjtë, pamundësinë që ka shkolla dhe prindërit për t’i mbikëqyrur ata në çdo çast. “Adoleshenca” trajton raportin e ndërlikuar mes familjes, shkollës, komunitetit dhe shoqërisë, teksa të rinjtë bëhen pre e traumave, bullizimeve dhe sherreve që përfundojnë në skena krimi.

“Secili që e sheh këtë serial, jam i sigurtë se do të ndjehet i përfshirë, për shkak të pyetjeve që ngrihen, bisedave që zhvillohen dhe ndryshimit shoqëror që kërkohet për të reduktuar fenomene të tilla që shkaktojnë plagë të mëdha në shoqëri.” thotë Graham.

Seriali me katër episode trajton ndikimet toksike dhe mizogjene ndaj të cilave të rinjtë ekspozohen në internet, siç është shembulli i ndikimit nga mizogjinisti Andrew Tate dhe vëllai i tij, persona që kërkohen nga organet e drejtësisë,  dhe se si ata mund të formojnë opinionet e fëmijëve që janë të lidhur vazhdimisht me telefonat e tyre inteligjentë dhe se si përfundimisht ky ndikim mund t’i çojë të miturit në dhunë. Natyrisht, temë trajtimi është edhe anksioziteti, krahasimet me të tjerët të cilat e përforcojnë anksiozitetin, depresionin dhe shqetësimin te të rinjtë.

Në këtë film trajtohet edhe kuptimi dhe keqkuptimi për atë se çfarë është të jesh mashull dhe si perceptohet në përgjithësi mashkullorësia, gjë që e mundon jo vetëm Xhejmin, që është nën hetim, por problemi diskutohet edhe me psikologen. Në këtë bisedë dallohet fraza goditëse kur Jamie thotë si pa të keq se “të gjithë shikojnë porno”, duke zbuluar të vërtetën e pathënë që çdo prind i një 13-vjeçari duhet ta marrë si të mirëqenë.

Pamje nga filmi “Adoleshenca”. Foto: Netflix (Facebook)
Pamje nga filmi “Adoleshenca”. Foto: Netflix (Facebook)

Për prindërit: Bëhu një me ta, offline, por edhe online

Detektivi i policisë i cili gjithashtu si baba nuk është shumë i suksesshëm në komunikimin me të birin e quajtur Adam sepse i zhytur në punë nuk di asgjë për ngacmimet nga të cilat po vuan i biri, e kupton gjuhën e koduar të adoleshentëve pikërisht përmes Adamit. Ai ia shpjegon çfarë domethënie ka figura me “pilulën e kuqe” që vajza e vrarë Katie ia ka komentuar Jamie-t në rrjetet e tij sociale. Komentet me pilulë të kuqe, për prindërit mbase duken të bukura, por, në fakt kanë domethënie shqetësuese dhe bullizuese, gjë që Katie ia bënte Jamie-t, duke e quajtur “incel”.

“Incel”, termi që dikur ishte një shprehje e veçantë e zhargonit të internetit, tani është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në diskutimet mbi gjininë, mizogjininë, dhunën dhe ekstremizmin.
Ky term me të cilin Katie e bulizonte Jamie-n, fillimisht u përdor nga një grua në vitet ‘90 për të përshkruar njerëzit që ndiheshin të vetmuar dhe të pasigurt në marrëdhëniet e tyre romantike dhe me kalimin e kohës u përvetësua nga komunitete online me prirje mizogjiniste dhe ekstremiste. “Incel” është një bashkim i fjalëve “involuntary celibate” dhe përshkruan dikë, zakonisht një mashkull, që ndjen frustrim për mungesën e përvojave seksuale.

Prindërit, të cilët nuk janë të gjeneratës boomers, por janë milenials dhe Gen X dhe janë digjitalisht të shkolluar, sërish nuk mund të mbajnë hapin me gjuhën e adoleshentëve. Për këtë arsye, ne duhet të pyesim, dhe jo thjesht të kontrollojmë nga distanca çfarë postojnë fëmijët. Shikoni videot që shikojnë, flisni për to: jo aq për t’i penguar të shkojnë në atë të gabuar (kjo do të ndodhë), por për të vendosur një dialog edhe për gjëra “të pakëndshme” ose “të turpshme”, për të zhvilluar ndjeshmëri, për t’u kushtuar pak kohë.

Shoku që i dha Jamie thikën dhe që pyet nëse edhe ai do të futet në telashe shprehet: “Prindërit e mi nuk thanë asgjë” pasi ai nuk ka dialog me prindërit e tij. Por, asgjë është më e dobishme sesa t’i thuash fëmijës tënd: “Unë jam me ty sot”, ashtu siç bën detektivi me djalin e tij duke e nxjerrë në drekë për të ngrënë, pas një dite në të cilën më në fund ka hapur sytë ndaj botës së adoleshentëve. Nuk është kurrë vonë për të filluar.

Pamje nga filmi “Adoleshenca”. Foto: Netflix (Facebook)
Pamje nga filmi “Adoleshenca”. Foto: Netflix (Facebook)