Ansambli Muzikor në Tetovë sonte sjell mbrëmje solemne për festat e nëntorit

Sonte më 19 nëntor, me fillim nga ora 20:00, në Pallatin e Kulturës “Ilio Anteski Smok” në Tetovë, Ansambli Muzikor-Tetovë do të mbajë koncert festiv kushtuar festave të nëntorit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të këtij sezoni në qytet. Koncerti do të shoqërohet nga interpretimi i Orkestrës Simfonike dhe Korit të Ansamblit Muzikor-Tetovë, të cilët do të prezantojnë vepra të kompozitorëve të njohur shqiptarë. Programi pritet të sjellë solemnitet, emocion dhe vlera të spikatura artistike që nderojnë historinë dhe identitetin kombëtar, shkruan Portalb.mk.

Blerim Qamili drejtori i Ansamblit, për Portalb.mk tha se nëntori është udhëtimi ynë nëpër histori nga flamuri i Skënderbeut në Krujë, te drita e alfabetit të Manastirit dhe te sakrifica e Adem Jasharit. Është muaji kur kujtojmë kush jemi dhe pse qëndrojmë.

“Nëntori është muaji i përbashkët i kujtesës historike shqiptare. Pikërisht në këtë muaj qëndrojnë disa nga ngjarjet themelore që kanë formësuar identitetin tonë kombëtar. Më 28 Nëntor 1443, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu ngriti flamurin e Kastriotëve në Krujë. Po në nëntor, në vitin 1908, Kongresi i Manastirit unifikoi alfabetin shqip një hap madhor që i hapi rrugë zhvillimit kulturor e arsimor të gjithë kombit. Në të njëjtin muaj, kujtojmë edhe ditëlindjen e Heroit të kombëtar, Adem Jashari (28 nëntor 1955). Muzika e kompozitorëve shqiptarë, ndërthurur me motive popullore e tema heroike, e kthen repertorin në një udhëtim emocional përmes çdo faqeje të historisë sonë nëntorare. IN. Ansambli Muzikor Tetovë synon t’i rikujtojë publikut vlerën e paçmuar të trashëgimisë sonë muzikore dhe rolin që ajo ka në ruajtjen e identitetit kombëtar. Përmes këtij koncerti ne promovojmë krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë dhe përkrahim fuqishëm artistët e rinj profesionistë të muzikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky koncert është falënderim për të gjithë artistët tanë, përkushtimin e tyre dhe energjinë që i japin jetës kulturore në Tetovë dhe më gjerë”, tha Qamili.

Ai shtoi se repertori i këtij koncerti është një pelegrinazh muzikor ku tingulli bëhet histori, vargu bëhet kujtesë dhe melodia kthehet në flamur një homazh për rrënjët, kulturën dhe heroizmin shqiptar.

“Repertori i koncertit ndërtohet mbi motive të fuqishme historike, kulturore dhe folklorike, të cilat kompozitorët tanë i kanë kthyer në vepra artistike me vlerë të përhershme.

  • “Porsi fleta e Éjllit Zotit” me tekst të At Gjergj Fishtës, është një himn poetik që lartëson flamurin kombëtar dhe sakrificat për mbrojtjen e tij.
  • Vepra e Çesk Zades, e bazuar mbi një melodi popullore të veriut, i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe epopesë së bashkimit të fiseve shqiptare në mesjetë.
  • “Liri a Vdekje” e Kujtim Laros mbështetet në melosin e jugut dhe u shkrua si kolonë zanore për filmin që përkujton jetën dhe veprën e trimërisë së Çerçiz Topullit.
  • Vallet dhe motivet e Lorenc Antonit, të frymëzuara nga tradita muzikore e Kosovës, sjellin ritmin, temperamentin dhe energjinë e kulturës popullore shqiptare të veriut.

Këto vepra krijojnë një mozaik të plotë artistik, ku tingulli, teksti dhe historia bashkohen për të sjellë një përvojë muzikore që nderon rrënjët, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar. Repertori është konceptuar si një “pelegrinazh” muzikor që udhëton nga tradita te heroizmi, nga kujtesa te krenaria kombëtare”, tha Qamili.

Mbrëmja do të zhvillohet nën dirigjimin e Premtim Etemit dhe Agona Çupit, ndërsa në skenë do të ngjiten solistët:

  • Jetmir Rexhepi-tenor
  • Rozafa Etemi-soprano
  • Ismet Vejseli-tenor