Biber 07 përzgjodhi 25 tregime për përmbledhjen rajonale, mes tyre edhe autorë shqiptarë
Juria treanëtarëshe e Konkursit të shtatë rajonal për tregim të shkurtër Bibe, e përbërë nga Danijela Repman, Lejla Kalamujiq dhe Zhelko Beliniq, përzgjodhi 22 tregime që do të përfshihen në përmbledhjen Biber 07 dhe do të publikohen, ndërsa tri tregime të tjera u zgjodhën nga ekipi organizativ i konkursit Biber, transmeton Portalb.mk.
Në përmbledhje do të përfshihen këto tregime:
- „Bilo jednom jedno danas“ (Na ishte njëherë një sot), me autor Adis Muhoviq nga Sarajeva
- „Cirih – Sarajevo“ (Cyrih – Sarajevë), me autore Deana Mandiq Antiq nga Bazeli, Zvicër
- „Četnik“ (Çetniku), me autor Dino Megjedoviq nga Tuzle
- „Njeriu i askundit“, me autor Imer Topanica nga Fushë Kosova
- „Dar za hrabrost“ (Dhunti e guximit), me autore Maja Halapir nga Samobori
- „Доме, сладок доме“ (Shtëpi, e ëmbla shtëpi), me autore Marija Boshkovska iz Manastiri
- „Џем од црни сливи“ (Reçel me kumbulla të zeza), me autore Jovana Matevska Atanasova nga Manastiri
- „Indeks“ (Indeksi), me autor Senad Jusiq nga Bugojno
- „Ista zemlja“ (E njëjta tokë), me autore Elma Marinkoviq nga Bojniku
- „Si e mbyta (ar)mikun tim“, me autor Gent Markaj nga Gjakova
- „Kaput“ (Pallta), me autor Filip Novakoviq nga Banja Luka
- „Кожата што не беше моја“ (Lëkura që nuk ishte e imja), me autore Angelina Naxhakovska nga Shkupi
- „Mater“ (Nëna), me autore Valentina Bataliq nga Spliti
- „Ne berite divlje jagode“ (Mos mblidhni luleshtrydhe të egra), me autore Antonela Soleniçki nga Zagrebi
- „Out of order“, me autore Lilana D. Quk nga Zemuni
- „Paveli“, me autor Branko Latinçiq nga Novi Sadi
- „Plava kutija“ (Kutia e kaltër), me autore Aida Sheçiq Nezireviq nga Travniku
- „Povratak“ (Kthimi), me autor Marko Radojeviq nga Berani
- „Pozdrav“ (Përshëndetja), me autore Natalija Kantar nga Beogradi
- „Prolazi anđeo“ (Kalon engjëlli), me autore Maja Ruçeviq Karanoviq nga Zagrebi
- „Sabin“, me autor Vedran Juriq nga Zagrebi
- „Sito pa besno“ (I ngopuri i tërbuar), me autor Vladan Periq nga Novi Sadi
- „Stan“ (Banesa), me autore Iva Hlavaq nga Valpovi
- „Sve te sitnice“ (Të gjitha ato cikërrima), me autore Iva Hlavaç nga Valpovi
- „Ženski toalet na drugom spratu“ (Tualeti për femra në katin e dytë), me autore Kosana Beker nga Pançeva
Biber është konkurs për tregim të shkurtër, të angazhuar në gjuhën shqipe, maqedone, boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze. Tema e konkursit është pajtimi në kontekstin e pasojave të luftës dhe të dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa merren parasysh edhe tregimet të cilat mund t’i ndihmojnë mirëkuptimit më të madh mes njerëzve, zbutjes së urrejtjes dhe kapërcimit të paragjykimeve, tregimet kundër luftës, tregimet të cilat ballafaqohen me të kaluarën, me dekonstruktimin e imazhit të armikut, tregimet për dhembshurinë ndaj tjetrit, tregimet e guximshme të cilat marrin guximin të ecin me këpuca të „armikut“, tregimet të cilat i lëviizin kufijtë dhe na i hapin rrugët për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurtë e më të lirë për të gjithë.
Konkursi i shtatë, i cili u kushtohet studentëve, ishte gjithashtu i hapur për tregime rreth betejës së studentëve për drejtësi, liri dhe barazi. Konkursin e organizon ekipi Biber nga Qendra për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.
Përmbledhja shumëgjuhëshe e tregimeve Biber 07 do të publikohet deri në fillim të marsit të vitit 2027.
Tregimi që u shpërblye me çmimin e parë, Paveli, u shkrua me një gjuhë bindëse letrare dhe pa u zbukuruar me stereotipe për madhështinë epike të luftëtarëve dhe luftërave. Tregimi i çmitizon kallëpet e nënkuptuara, duke hedhur tjetër dritë mbi guximin e supozuar dhe bindjen e verbër të njeriut (të keq)përdorur, të detyruar t’i luftojë betejat e njerëzve të tjerë. Qielli, një nga aktorët e heshtur të këtij tregimi, të cilit nuk i bëhet vonë për emër njeriu, qëndron mbi fushën dhe lumin e baltosur. Ky vëzhgues i përjetshëm i ndërrimit të mëngjeseve të mjegullta nuk mërzitet as për të riun Pavel, rusinin vojvodinas, i cili shkon në luftë si rezervist ushtarak me një pushkë dhe një grep peshkimi, duke u përpjekur me naivitet të ruajë mbetjet e shkujdesjes që deri vonë ishin pjesë e jetës së tij të përditshme. I kapur në kurthin e absurditetit të roleve dhe pritjeve të imponuara, në/mbi një tokë që gjithmonë ndryshonte kufij, emra, sundimtarë, flamuj (dhe gjatë këtij procesi merrte jetë), Paveli bëhet i vetëdijshëm se lufta në të cilën po dërgohet nuk është lufta e tij. Andaj, i vetmi vendim racional është ikja. Duke e tkurrur veprimin e një individi në një përpjekje absurde të një rebelimi të vetmuar, autori na flet për një kontekst më të gjerë – vogëlsinë dhe kalueshmërinë e vetë njeriut kundruall gjithçkaje që mbijeton si konstante – fushës (tokës), qiellit, lumit. Përtej kësaj konstanteje, e vetmja gjë që mbetet përgjithmonë e arritshme për njeriun është vetë vdekja, e pamëshirshme dhe e pashmangshme.
Vendin e dytë e fitoi tregimi I ngopuri i tërbuar. Bëhet fjalë për një portret të sajuar me kujdes të tetëdhjetecavjeçares Sava, jeta e së cilës u përshkua nga skamja, dhimbja e vetmia. I rrëfyer në mënyrë minimaliste, tregimi për Savën është njëkohësisht edhe tregim për fatin e mijëra paraardhëseve tona që nuk kishin të drejtë të bënin zgjedhjen e tyre dhe që ishin të detyruara të jetonin vetëm për të mirën e të tjerëve. Por, tregimi flet gjithashtu edhe për të gjitha ato vështirësi të heshtura që këto gra duhej t’i kapërcenin vetë. Me fjalë të tjera, I ngopuri i tërbuar është dëshmi për pasqyrimin e përvojës së grave nëpër kohë, njohjen e vuajtjeve dhe rolit të grave gjatë ndryshimeve të mëdha shoqërore, por edhe për fuqinë e rebelimit për të cilën, siç do të shihet, nuk është kurrë vonë.
Vendi i tretë i takoi tregimit Çetniku, që u rrëfye në mënyrë të shkëlqyer me një gjuhë të dendur metaforike. Ky është një rrëfim grotesk realist kundër luftës që çmonton pa kompromis mekanizmat e mitologjisë lokale, por edhe universale të luftës: armiku është një përbindësh i imagjinuar, i çnjerëzuar, i cili, edhe pas një tkurrjeje afatshkurtër të rritjes së vetëdijes në një fenomen banal dhe të vdekshëm njerëzor, kthehet në “cilësimet e tij fillestare” dhe vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive si një mit joshës dhe toksik. Në këtë tregim, ata që panë trupin e vdekur të një çetniku vunë nën gjuhën e tyre farën e një historie që do të mbijë në një pemë të madhe në ditët që do të vinë, në të gjithë pyllin ku jeton një përbindësh i madh leshator nga legjendat.