Dështimi i RMV-së në mjedis: Reformat në pritje, qytetarët në rrezik

Institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë dështuar tu sigurojnë qytetarëve mjedis të shëndetshëm dhe ajër të pastër, kështu duke i vendosur ata përballë rreziqeve në shëndetin e tyre. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, edhe këtë vit i radhiti dështimet e vendit në fushën e mjedisit dhe klimës. Derisa organizatat e shoqërisë civile theksojnë mungesën e vullnetit institucional, Ministria e Mjedisit arsyetohet se po punon në këtë drejtim për t’i mbushur zbrazëtirat, shkruan Portalb.mk

Edhe pse Maqedonia e Veriut ka njëfarë përgatitjeje në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, gjatë periudhës raportuese është bërë përparim i kufizuar. 

Ndër problemet kryesore të cilat i radhit Komisioni Evropian janë ndotja e ajrit, mbeturinat, klima, mungesa e stafit dhe të tjera.

Nga organizata mjedisore Eko Svest thonë se përmirësimi i mjedisit në Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar ka shënuar trend shqetësues të regresit dhe stagnimit në të gjitha aspektet e mjedisit.

 “Pavarësisht faktit se mbrojtja e mjedisit është një e drejtë njerëzore dhe është e garantuar me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shteti ende nuk ka qenë në gjendje të përparojë realizimin e të drejtave të njeriut në këtë fushë. Raporti i fundit i Komisionit Evropian i vitit 2025 për Republikën e Maqedonisë së Veriut tregon qartë dobësitë e sistemit dhe mungesën e kapacitetit për t’u përballur me sfidat në fushën e rregullimit të brendshëm. Raporti në fakt riafirmon mangësitë ekzistuese”, thanë nga Eko Svest. 

Nga Qendra për Ndryshime Klimatike theksojnë se pajtohen me gjetjet e vërejtura në raportin e Komisionit Evropian për mjedisin.

“Do të ndajmë më shumë detaje rreth asaj që është bërë në këto fusha gjatë vitit 2024 kur të publikojmë Raportin në Hije për Kapitullin 27 për vitin 2024, i cili është në fazën e tij përfundimtare dhe do të prezantohet më 12 dhjetor 2025. Raporti është duke u përgatitur për Kapitullin 27 dhe autorët janë disa organizata të shoqërisë civile”, thanë nga Qendra për Ndryshime Klimatike.  

Nga ana tjetër, të pyetur se përse nuk i kanë zgjidhur problemet e theksuara në raport, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se është në fazën përfundimtare të përgatitjes së analizës funksionale dhe një rregulloreje të re për sistematizimin e vendeve të punës, e cila pritet të kapërcejë problemin e mungesës së stafit për monitorimin e cilësisë së ajrit, menaxhimin e mbeturinave dhe menaxhimin e ujit. 

“Ligj i ri për Cilësinë e Ajrit Ambient është duke u përgatitur, në kuadër të Projektit IPA 2 “Mbështetje për Zbatimin e Direktivave për Cilësinë e Ajrit”, i cili filloi të zbatohet në nëntor 2024. Ligji pritet të hartohet deri në fund të vitit të ardhshëm”, thanë nga Ministria e Mjedisit.

Ndërsa për Ligjin e ndryshimeve klimatike thonë se vijon procedura qeveritare. 

“Janë marrë 24 opinione, 4 negative. Një version i harmonizuar është zhvilluar dhe është në proces shqyrtimi dhe miratimi përfundimtar”, thanë nga MMJPH. 

Ata shtojnë se ngritja e menaxhimit të integruar dhe rajonal të mbeturinave është një proces afatgjatë që po zbatohet vazhdimisht dhe se fokusi i aktiviteteve në sektorin e menaxhimit të mbeturinave vazhdon drejt krijimit të një sistemi të integruar rajonal të menaxhimit të mbeturinave, në përputhje me detyrimet e ndërmarra me kredinë e BERZH-it dhe projektet IPA. 

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet, në veçanti: 

  • Të forcojë kapacitetet administrative dhe inspektuese për të zbatuar dhe zbatuar acquis-in mjedisor dhe për të zbatuar reformat strukturore në të gjithë sektorët. 
  • Të sigurojë funksionimin e strukturave rajonale të menaxhimit të mbeturinave dhe të mundësojë zbatimin e investimeve në infrastrukturë për të krijuar një sistem rajonal të menaxhimit të mbeturinave në rajonet Verilindor dhe Lindor. 
  • Të miratojë Ligjin për ndryshimet klimatike, të zbatojë Planin Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP), të përafrohet dhe të zbatojë acquis-in e Monitorimit, Raportimit, Verifikimit dhe Akreditimit (MRVA) dhe ta bëjë njësinë e ndryshimeve klimatike brenda Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. 

Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.