Merita Abazi mbrëmë përuroi librat “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”

Mbrëmë, në Qendrën e Kulturës “Oda” në Tetovë, u përuruan dy librat e autores Merita Abazi, “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”, që sjellin para lexuesit analizën letrare dhe përjetimin personal. Ndonëse të ndryshme në qasje, sipas autores, të dyja veprat kanë në qendër njeriun, botën e tij shpirtërore dhe fuqinë e fjalës së shkruar. Aktiviteti u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve “Oeneum”, me në krye kryetaren Sadije Aliti dhe me angazhimin e poetëve dhe krijuesve të rinj, anëtarë të shoqatës, shkruan Portalb.mk.

Të pranishimit në fillim i përshëndeti kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum Sadije Aliti, e cila faleminderoi dhe e përgëzoi autoren Merita Abazi që mundësoi të jemi së bashku këtu në këtë ngjarje letrare të rëndësishme edhe për Shoqatën, autoren dhe Tetovën. Autorja është anëtare e shoqatës dhe zgjodhi si ombrellë Shoqatën për organizimin e këtij aktiviteti letrar.

Për librat e promovuar diskutuan redaktorë e recensentë si: Bardhyl Zaimi, Xhelal Zejneli, Mejreme Kajolli Tusha. Letrën përshëndetëse të dërguar nga Italija për këtë promovim, të shkrimtarit të njohur Rifat Ismaili, në cilësinë e redaktorit, e lexoi poetja Merita Emurllai. Ky aktivitet kulturor u moderua me shumë dashamirësi nga poetja Merita Isaku.

Mejreme Kajolli Tusha si recensente e librit “Lotët e mesnatës”, prezentoi para të pranishmëve vlerësimet dhe përshtypjet e saj për veprën dhe botën krijuese të autores. “Libri  është një ftesë për të parë përtej dukjes, për të dëgjuar atë që shpesh mbetet e pashprehur dhe për të mos u bërë indiferentë ndaj asaj që ndodh rreth nesh. Është një libër që na kujton se realiteti nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet që kalojnë, por edhe nga gjurmët që ato lënë në ndërgjegjen tone”-theksoi ajo.

Vepra “Shqyrtime kritiko-letrare” u trajtua nga redaktori Bardhyl Zaimi e cili  theksoi se autorja ka përzgjedhur veprat më të dalluara të krijuesve botëror, fitues të çimit “Nobel”, por edhe krijues të njohur të hapësirës shqiptare.

Recensenti e lektori profoser Xhelal Zejneli, theksoi se te botimi në fjalë autorja ka përfshirë shkrimtarë që në veprat e veta trajtojnë tema të përhershme e të përjetshme që e përcjellin njeriu gjatë jetës së tij, duke sugjeruar se ky libër duhet të jetë i përfshirë edhe si literarutë plotësuese në plan-programet  shkollore të arsimit të mesëm.

Promovimi mblodhi studiues, profesorë, poetë, shkrimtarë, diplomatë, gazetarë dhe dashamirës të artit e të fjalës së bukur. Interpretimet letrare dhe tingujt e violinës i dhanë mbrëmjes një atmosferë të veçantë artistike.

Fotografi nga promovimi
Fotografi nga promovimi

Duke folur për atë që i lidh këta dy libra, Merita Abazi në një deklaratë për Portalb.mk tha se nëpërmjet tyre synon ta nxisë lexuesin të reflektojë dhe të gjejë diçka nga vetja.

“Në pamje të parë janë dy libra të ndryshëm. ‘Shqyrtime kritiko-letrare’ i përket analizës dhe vlerësimit të letërsisë, ndërsa ‘Lotët e mesnatës’ është më personal, më emocional dhe reflektues. Megjithatë, të dy i bashkon interesi për njeriun, botën e tij shpirtërore dhe fuqinë e fjalës së shkruar. Në njërin libër përpiqem ta afroj lexuesin me veprën letrare dhe autorin, ndërsa në tjetrin me përjetime, kujtime dhe ndjenja që janë pjesë e jetës së secilit prej nesh. Do të doja që të dy librat ta nxisnin lexuesin të ndalet, të mendojë dhe të gjejë diçka që i flet edhe atij personalisht”, shprehet Abazi.

Fotografi nga librat “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”. Foto: Merita Abazi
Fotografi nga librat “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”. Foto: Merita Abazi

Në “Shqyrtime kritiko-letrare”, autorja trajton vepra të shkrimtarëve shqiptarë dhe të huaj, përfshirë edhe nobelistë. Ajo e cilëson angazhimin në kritikën letrare si vazhdimësi të punës së saj shumëvjeçare me librin dhe letërsinë.

“Marrja ime me kritikën letrare është vazhdimësi e një jete të gjatë profesionale të lidhur me librin dhe letërsinë. Për shumë vite kam lexuar, interpretuar dhe diskutuar letërsi me nxënës e studentë, ndaj ishte krejt e natyrshme që një pjesë e këtyre leximeve dhe reflektimeve të merrnin formën e shkrimeve kritike. Në ‘Shqyrtime kritiko-letrare’ kam trajtuar autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, ndër ta edhe një numër të konsiderueshëm shkrimtarësh nobelistë. Pikërisht kjo larmi më ka dhënë mundësinë të shoh mënyra të ndryshme të të shkruarit, botëkuptime, stile dhe qasje ndaj njeriut dhe shoqërisë. Nuk më ka interesuar thjesht të ritregoj përmbajtjen e një vepre. Kam kërkuar të depërtoj te ideja, struktura, personazhet, gjuha, stili dhe mesazhi i saj. Për mua, kritika letrare është një dialog me veprën dhe autorin, por edhe një urë mes librit dhe lexuesit”, thotë Abazi.

Fotografi nga përurimi i librave “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”. Foto: Merita Abazi
Fotografi nga përurimi i librave “Shqyrtime kritiko-letrare” dhe “Lotët e mesnatës”. Foto: Merita Abazi

Sipas saj, kritika letrare ka një rol të rëndësishëm në dallimin dhe afirmimin e vlerave, veçanërisht në një kohë kur botohet shumë.

“Mendoj se kritika letrare është shumë e nevojshme edhe sot. Në një kohë kur botohet shumë, ajo duhet të ndihmojë në dallimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta letrare. Kritika serioze nuk është as lavdërim pa kriter, as mohim; ajo duhet të jetë e argumentuar, e ndershme dhe e pavarur. Nëse një shkrim kritik e shtyn lexuesin të kërkojë një libër, ta lexojë me më shumë vëmendje apo ta shohë nga një kënd që nuk e kishte menduar më parë, atëherë mendoj se e ka përmbushur misionin e vet”, thekson autorja.

Ndërkaq, me “Lotët e mesnatës”, Merita Abazi sjell përjetime më personale, në të cilat ndërthuren kujtimet, malli, humbja dhe dashuria. Pavarësisht titullit, ajo thotë se shpresa mbetet pjesë e rëndësishme e librit.

“‘Lotët e mesnatës’ është një libër më afër përjetimit tim personal. Brenda tij ka kujtime, mall, dhimbje, humbje, dashuri, por edhe shpresë. Titulli mund të tingëllojë i trishtuar, por libri nuk synon ta lërë lexuesin vetëm me trishtimin. Përkundrazi, do të doja që ai të ndiente se edhe pas momenteve të vështira ekziston forca për të vazhduar. Jeta na mëson të humbasim, të kujtojmë, të falim, të duam dhe të çmojmë më shumë njerëzit që kemi pranë. Nëse pas leximit dikush ndalet për një çast dhe mendon për një njeri të dashur, për një kujtim të vetin apo për një përvojë që e ka ndryshuar, atëherë besoj se libri ka arritur të krijojë atë lidhje që kërkon çdo autor me lexuesin”, shprehet Abazi.