Anita Aziri e risolli pas 23 viteve këngën “Shiu i dendur”

Artistja nga Tetova Anita Aziri sapo e ka lancuar projektin e ri të titulluar “Shiu i dendur”, një këngë jazz e rikthyer pas 23 viteve, me një qasje të re, shkruan Portalb.mk.

Anita Aziri për Portalb.mk tha se kënga “Shiu i dendur” u prit me shumë emocion nga publiku, pasi për publikun është një këngë e re dhe e pa dëgjuar.

“Është një këngë e krijuar shumë kohë më parë, mund të them para 23 vitesh, mirëpo këto ditë e rikthyem me një frymë të re. Të gjitha komponentët e këngës mbetën të njëjta, përveç anës teknike dhe tingëlluese, të cilat i dhanë një qasje pak më ndryshe. Kënga është një produkt i ri artistik, pasi për publikun ajo është e re dhe e pa dëgjuar-plot 23 vite”, tha Aziri.

Muzikën e shkroi Teuta Halimi, orkestrimin e realizoi mjeshtri i aranzhimeve dhe krijimeve muzikore, Nexhat MujoviWirusi, ndërsa tekstin e krijoi profesoresha e muzikës, Laurije Ibrahimi.

Aziri edhe më tej deklaroi se këngët e vjetra priten ngrohtë nga publiku.

Këngët e vjetra të risjella shpesh mirëpriten shumë ngrohtë nga publiku, pasi mbajnë brenda tyre nostalgji dhe kujtime të veçanta. Megjithatë, edhe tekstet dhe krijimet e reja kanë rëndësinë dhe bukurinë e tyre, duke sjellë freski dhe ide të reja. Në përgjithësi, varet nga mënyra si përcillen te publiku; një këngë e risjellur me përkushtim dhe një qasje moderne mund të ketë po aq sukses sa një këngë krejtësisht e re”, tha Aziri.

Më 23 maj artistja Anita Aziri do të sjellë koncertin e saj solistik 25 vite karrierë, pjesë e planeve të saj janë gjithashtu mbrëmjet muzikore dhe shumë të tjera.

“Planet e mia në vazhdim janë nga më të ndryshmet: këngë të reja, mbrëmje muzikore, dhe shumë të tjera. Nuk dua t’i zbuloj të gjitha detajet tani, por mund të them se do të mbaj një koncert solistik për publikun tetovar. Kjo ka qenë gjithmonë një pikësynim dhe një ëndërr e kamotshme për mua, dhe shpresoj që të realizohet si një koncert i përgatitur me shumë finesë dhe në përputhje me shijen e publikut”, tha Aziri.