Me ceremoni ushtarake Norvegjia sot i dorëzon ARM-së 76 automjete

Me ceremoni ushtarake, në kazermën “Ilinden” në Shkup, do të bëhet donacioni nga Mbretëria e Norvegjisë, i përbërë nga shtatëdhjetë e gjashtë automjete, transmeton Portalb.mk. 

Në këtë ngjarje do të flasin ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Vasko Gjurcinovski, si dhe ambasadorja e Mbretërisë së Norvegjisë në Maqedoninë e Veriut, Christine Melsom dhe gjeneral brigade Andres Jernberg, komandant i Logjistikës së Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Norvegjisë.

Në ceremoninë zyrtare të dorëzimit do të marrin pjesë kryesia e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralë në Ushtri dhe komandantë repartesh.

Shtatëdhjetë e gjashtë mjetet motorike, nga të cilat tridhjetë e gjashtë janë mjete të lehta këmbësorie të tipit Mercedes Benz-290GD, Multi 2 dhe dyzet kamionë mallrash Scania-P3, janë më të rejat nga shumë projektet e deritanishme nga bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Norvegjisë.