ANALIZË: RMV, investimet bruto në rënie, pa investim nuk ka rritje ekonomike!

Tremujori i parë i vitit filloi me një rritje të PBB-së prej 2.1%, por me një rënie të investimeve bruto për më shumë se 22%, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Banka Popullore regjistroi një rritje të investimeve të huaja direkte – por cila është baza e kësaj rritjeje, investimet e reja Greenfield apo fitimet e riinvestuara?

IHD: të hyra nga Turqia, Holanda, Kosova, të dala në Britani, Itali, Greqi, Bullgari…

Në tre muajt e parë të vitit, Investimet e huaja direkte të përgjithshme në vend kanë qenë 126.5 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rënie prej 10.4 milionë eurosh.

Investime të huaja direkte në RMV. Infografik nga Portalb.mk
Investime të huaja direkte në RMV. Infografik nga Portalb.mk

Sipas ekonomistëve, shumë e rëndësishme është të dihet se si pasojë e çfarë janë këto shifra të IHD-ve – të investimeve direkte në formën e investimeve të reja apo fitimeve të riinvestuara që mund të përfundojnë jashtë vendit, si të dala.

“Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë janë në rritje. Është e rëndësishme të dihet nëse është kjo një rritje që gjenerohet nga fitimet e riinvestuara apo është rezultat i investimeve të reja. Fitimi i riinvestuar mund, por jo domosdoshmërisht të mbetet në vend. Bëhet fjalë për mjete të fituara, mjete nga fitimi që kompania nuk i ka shpërndarë si dividendë dhe teorikisht ato mund të “flenë” në një llogari bankare, ndërsa pas një periudhe të caktuar të nxirren jashtë vendit, por deri sa të ndodhë një gjë e tillë ato regjistrohen si pjesë e një investimi të huaj direkt”, shpjegon profesori, ekonomisti Borçe Trenovski.

Investime të huaja direkte. Infografik nga Portalb.mk
Investime të huaja direkte. Infografik nga Portalb.mk

Këto të dhëna tregojnë se në muajt e parë të vitit, një pjesë e madhe e investimeve të huaja direkte “mbështeten” tek fitimet e riinvestuara – sa do të mbetet apo do të derdhet jashtë vendit do të tregojnë të dhënat e reja. Në tremujorin e parë të këtij viti shuma më e madhe e investimeve të huaja është regjistruar nga Turqia 33,4 milionë euro, nga Holanda 26,3 milionë euro dhe nga Hungaria 15,4 milionë euro.

Investime të huaja direkte (Tremujori I 2023). Infografik nga Portalb.mk
Investime të huaja direkte (Tremujori I 2023). Infografik nga Portalb.mk

Por në tre muajt e parë ka edhe të dala më të dukshme të investimeve në disa vende që konsiderohen partnerë të ngushtë dhe të rëndësishëm investues të Maqedonisë. Kështu, shuma më të larta të të IHD-ve ka në Mbretërinë e Bashkuar në vlerë prej 64,4 milionë euro, Greqi 13,3 milionë euro, Itali 9,5 milionë euro, Bullgari 5,7 milionë euro. Viti i kaluar 2022 u mbyll me bilanc të investimeve direkte neto në vlerë prej 670 milionë euro.

Sipas Entit shtetëror të Statistikave, në tremujorin e parë të vitit, investimet bruto janë në minus. Të dhënat për të njëjtën periudhë të vitit treguan rritje të PBB-së prej 2.1%, por një rënie prej 23.3% të investimeve bruto, që përfshijnë edhe investimet private dhe ato publike. Konkretisht, në tre muajt e parë janë regjistruar investime bruto në vlerë prej 829 milionë euro, shumë kjo dukshëm më e ulët krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërsa diferenca është gjithashtu e madhe krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022.

Investime bruto në RMV. Infografik nga Portalb.mk
Investime bruto në RMV. Infografik nga Portalb.mk

Qeveria për këtë vit ka parashikuar rreth 800 milionë euro për investime publike, shtetërore, që është shuma më e lartë historikisht, dyfish më e madhe se vitin e kaluar. Por zakonisht në fund të vitit realizimi nuk realizohet në tërësi, ndërsa shkurtimet e para nga ky zë po bëhen tashmë që në ribalancimin e parë të Buxhetit.