Ansambli Shtetëror Shqiptar i RMV-së me sezon veror të ngarkuar: Koncerte në vend, paraqitje ndërkombëtare në Francë e Qipro
Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV po hyn në një sezon veror dinamik, me aktivitete të shumta kulturore, koncerte, festivale dhe paraqitje artistike brenda dhe jashtë vendit, shkruan Portalb.mk.
Drejtori i Ansamblit, Jetmir Rexhepi për Portalb.mk ka bërë të ditur se para Ansamblit qëndron një periudhë e ngjeshur aktivitetesh, e cila do të shtrihet përgjatë gjithë verës dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit.
“Sa i përket aktiviteteve të planifikuara, na pret një periudhë shumë dinamike me koncerte dhe festivale brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Rexhepi.
Sipas tij, sezoni veror nis fuqishëm më 11 qershor në Gostivar, me koncertin kushtuar Bilbilit të Pollogut, Hanife Sejfulla Reçani, një emër i madh i muzikës dhe kulturës shqiptare.
Më 12 qershor, Ansambli do të realizojë një koncert të përbashkët me Ansamblin “Shota” dhe Ansamblin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Ky koncert pritet të jetë një nga ngjarjet më të veçanta të sezonit, pasi në një skenë do të bashkohen tri institucione të rëndësishme artistike shqiptare.
Aktivitetet verore vazhdojnë më 14 dhe 15 qershor, me pjesëmarrjen në manifestimin “Albanian Night”, ku publiku do të ketë mundësi të ndjekë performanca të pasura me këngë, valle, kostume dhe trashëgimi autentike shqiptare.
Më 23 qershor, Ansambli do të jetë pjesë e koncertit “Vera në Çarshi” në Shkup, duke sjellë atmosferë festive dhe kulturore në zemër të kryeqytetit. Ky aktivitet shënon vazhdimin e prezencës së fuqishme të Ansamblit në skenat publike gjatë sezonit veror.
Në muajin korrik, aktivitetet do të vazhdojnë me ritëm të lartë. Më 21 korrik, Ansambli do të performojë në Sheshin ‘Iliria’ në Tetovë, ndërsa më 23 korrik do të paraqitet në Shkup me koncertin e radhës në kuadër të “Folk Fest Shkup”.
Një nga kulmet e sezonit veror do të jetë përfaqësimi ndërkombëtar i Ansamblit në Francë. Nga 11 deri më 17 gusht, Ansambli Shtetëror Shqiptar do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Nice, ku do ta prezantojë kulturën shqiptare para publikut ndërkombëtar.
Po ashtu gjatë muajit gusht do të nisë edhe prezantimi i valles premierë “Dasma e Rekës”, një projekt i rëndësishëm për repertorin artistik të Ansamblit. Ky projekt pritet të sjellë në skenë një pjesë të pasur të traditës shqiptare, të ruajtur me kujdes ndër breza.
Pas një sezoni veror të ngjeshur me aktivitete, Ansambli do të vazhdojë prezantimet edhe gjatë vjeshtës. Nga 30 shtatori deri më 5 tetor, institucioni do të marrë pjesë në aktivitete kulturore në Qipron Veriore, ndërsa deri në fund të vitit pritet të realizohen edhe projekte të tjera artistike.
Kulmi i aktiviteteve vjetore do të jetë më 22 nëntor, me koncertin madhështor kushtuar Ditës së Alfabetit. Po ashtu, Ansambli do ta shënojë edhe Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin, me një ngjarje të veçantë kushtuar kulturës, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Por krahas sezonit artistik, Ansambli Shtetëror, Rexhepi ka bërë të ditur se më në fund janë marrë vendime të rëndësishme për sistemimin dhe përfshirjen në institucion të të gjithë atyre që për vite me radhë kishin mbetur jashtë tij.
“Si drejtor i këtij institucioni, ndihem i lumtur dhe krenar që më në fund arritëm të sistemojmë dhe të përfshijmë në institucion të gjithë ata që për vite me radhë kishin mbetur jashtë tij”, deklaroi Rexhepi.
Ai theksoi se ky proces ka qenë i rëndësishëm dhe ka kërkuar përkushtim, punë dhe bashkëpunim nga shumë njerëz.
“Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces, institucionet përkatëse, bashkëpunëtorët dhe stafin që qëndruan pranë nesh”, tha ai.
Rexhepi paralajmëroi se gjatë vitit 2027 institucioni do të vazhdojë me të njëjtin ritëm pune, me fokus në zhvillimin e mëtejshëm të Ansamblit, përmirësimin e kushteve të punës dhe avancimin e veprimtarisë kulturore e artistike.