ANALIZË: Buxheti i RMV-së 2024, hekurudha, gazifikimi, shkolla të reja, reforma në polici, investime publike në vlerë prej 731 milionë euro

Në raport me buxhetin aktual të ribalancuar, buxheti i ri për vitin 2024 parashikon rritje të investimeve kapitale për 0,3%, por në raport me buxhetin fillestar për vitin 2023, shuma është ulur me 7,6%. Qeveria përcaktoi objektiva të reja ambicioze buxhetore për investimet publike në vitin 2024, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Shuma totale për investime kapitale është pozicionuar në 731.509.000 euro. Sa dhe për cilat investime do të ndahen më shumë para në ministritë që kanë buxhete më të mëdha dhe projekte më të rëndësishme?

Pjesa zhvillimore e buxhetit 2024

Ministrinë e Transportit janë të përqendruara shumat më të larta për investime publike, ndërsa bilanci është rritur ndjeshëm për 245 milionë euro përmes zërit për investime në infrastrukturën rrugore, ku përfshihet kryesisht projekti “Behtel dhe Enka”. Një shumë e konsiderueshme prej 30,9 milionë euro është planifikuar për investime në infrastrukturën hekurudhore, ku rreth 60% e mjeteve do të sigurohen nga kreditë. Një shumë më e madhe, gati 2,1 milionë euro, është planifikuar për sistemet e ujërave të zeza. Për rrugët lokale janë paraparë 9,8 milionë euro, përmes kredive. Vlera totale e kredive të planifikuara për vitin e ardhshëm është 32,8 milionë euro.

Shuma më të larta për projektet zhvillimore janë paraparë për Ministrinë e Financave. Konkretisht, përmes Ministrisë së Financave – funksionet e shtetit vitin e ardhshëm do të shpenzohen gjithsej 67,1 milionë euro, nga të cilat 58,2 milionë euro për projekte që kanë të bëjnë me reformat e BE-së në disa sektorë dhe ministri. Përmes pjesës zhvillimore të buxhetit të Ministrisë së Financave janë planifikuar afër 8,9 milionë euro për projekte në nivel komunal.

Përmes komponentit zhvillimor të Ministrisë së Mbrojtjes janë planifikuar 111,1 milionë euro – pjesa më e madhe ose 95 milionë euro janë për “Integrimin në NATO”, 11,5 milionë euro janë planifikuar për ndërtimin dhe rikonstruktimin e objekteve, si dhe 4,6 milionë euro për modernizim.

Ministria e Arsimit vitin e ardhshëm do të duhet të shpenzojë 12 milionë euro për rikonstruktimin dhe ndërtimin e shkollave fillore dhe sallave sportive në shkollat fillore, 3,5 milionë euro për shkollat e mesme dhe konviktet e nxënësve, ndërsa 2,8 milionë euro janë planifikuar për ndërtimin dhe rikonstruktimin e konvikteve të studentëve.  Kjo ministri planifikon të realizojë një pjesë të këtyre projekteve me kredi në vlerë prej 4,7 milionë euro dhe 1 milionë euro të tjera nga donacionet.

Buxheti i RMV-së, investimet kapitale në vitin 2024. Infografik nga Portalb.mk
Buxheti i RMV-së, investimet kapitale në vitin 2024. Infografik nga Portalb.mk

Vitin e ardhshëm 2024, për rikonstruksionin e Spitalit Special të Ohrit “Shën Erazmo – Ohër”, për Klinikën për Sëmundje Kirurgjike Shën “Naumi i Ohrit” nga Shkupi dhe të tjera, përmes pjesës zhvillimore të Ministrisë së Shëndetësisë janë planifikuar gati 2,2 milionë euro, ndërsa për pajisje mjekësore për të gjitha institucionet shëndetësore janë planifikuar 7,8 milionë euro. Edhe në buxhetin e ri u gjetën projektet e vjetra, të nisura, por të pa përfunduara.  Kështu për Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës janë planifikuar 812.000 euro, ndërsa për vitet në vijim 2025 dhe 2026 janë planifikuar shuma dyfish më të larta. Për ndërtimin e qendrave të reja klinike në Shkup dhe Shtip vitin e ardhshëm do të ndahen 2,5 milionë euro dhe pjesa më e madhe e kësaj shume, ose 1,5 milionë euro, është planifikuar të sigurohet nga kreditë.

Buxheti për zhvillim i Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2024 do të jetë 13,3 milionë euro.  Prej tyre, 8,8 milionë euro për reformat në polici, ndërsa 4,5 milionë euro për rikonstruksionin dhe pajisjen e objekteve.

Në pjesën zhvillimore të buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dominon projekti i gazifikimit, për të cilin janë ndarë gati 3,7 milionë euro, ndërsa për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë planifikuar 1,3 milionë euro. Buxheti i Drejtorisë për ZZHIT vitin e ardhshëm do të jetë 12,4 milionë euro – para që do të shpenzohen për infrastrukturë në shumicën e zonave ekonomike, përveç në Shkup, Shtip, Prilep edhe në Strugë, Strumicë, Kërçovë, Kumanovë, Likovë, Kosel dhe Zhabeni.

Pjesa zhvillimore për investime e Ministrisë së Bujqësisë është 4,5 milionë euro. Prej tyre rreth 1 milion euro janë për modernizim në bujqësi, gati 1 milion euro për hidrosistemet e Zletovicës dhe Lisiçes, dhe 800 mijë euro për projektin “Ujitja e luginës jugore të Vardarit” dhe 1,6 milion euro për pjesën tjetër të sistemeve të ujitjes përgjatë lumit Vardar.

Përmes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve për mbrojtjen e fëmijëve parashikohen 1,1 milionë euro, ndërsa për objektet e mbrojtjes sociale dhe shtëpitë për të moshuarit 276 mijë euro. Një shumë më e konsiderueshme prej rreth 812,000 euro është paraparë për nxitjen e punësimit.

Nga ministritë e tjera, Ministria e Shoqërisë Informatike do të marrë 2,8 milionë euro,  Ministria e Mjedisit Jetësor 711 000 euro, kurse Ministria e Drejtësisë do të ketë 200 mijë euro për programe dhe projekte zhvillimore.