ANALIZË: Borxhi i brendshëm i Maqedonisë së Veriut iu afrua 700 milionë eurove (Infografik)

Si në nivel tremujor, ashtu edhe në atë vjetor, është shënuar rritje e “borxhit të brendshëm” të shtetit – në fund të gjysmëvjetorit të parë të vitit, detyrimet e prapambetura dhe të papaguara të shtetit, në nivel qendror dhe lokal, iu afruan 700.000.000 eurove. Sipas të dhënave nga lista e re e “borxhlinjve” e Ministrisë së Financave, kompanitë shtetërore hekurudhore e kanë rritur borxhin, ndërsa kompanitë shtetërore energjetike e kanë ulur atë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Borxhi ndaj sektorit privat, organizatave joqeveritare dhe organizatave të shoqërisë civile tejkaloi 305.000.000 euro

Rritje e detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara ndaj sektorit publik dhe sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave joqeveritare – të dhënat e reja për gjendjen me detyrimet e brendshme tregojnë se në fund të qershorit të këtij viti ato janë rritur si në raport me tremujorin e parë, ashtu edhe në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ka një rënie të shumë së detyrimeve ndaj subjekteve jashtë vendit dhe ndaj personave fizikë.

Në fund të qershorit, detyrimet e prapambetura dhe të papaguara arritën në 692.523.113 euro dhe, sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, për gjashtë muaj, përkatësisht krahasuar me fundin e dhjetorit të vitit 2025, ato janë rritur për 26.370.000 euro. Rritje e detyrimeve të prapambetura dhe të papaguara është shënuar edhe në nivel tremujor, për madje 17.550.000 euro, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, detyrimet janë rritur për pothuajse 3.000.000 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Detyrimet e prapambetura dhe të papaguara ndaj sektorit publik arritën në 344.502.000 euro dhe, krahasuar me gjendjen në fund të vitit të kaluar, janë rritur për rreth 15.000.000 euro. Në vendin e dytë janë detyrimet ndaj sektorit privat, shoqatave të qytetarëve dhe organizatave të tjera jofitimprurëse, në vlerë prej pothuajse 315.200.000 eurosh, ndërsa ky borxh gjatë gjashtë muajve është rritur për 20.300.000 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Borxhet e shtetit ndaj personave fizikë në fund të tremujorit të dytë arrinin në pak më shumë se 3.000.000 euro dhe, krahasuar me fundin e dhjetorit, është shënuar ulje. Gjatë periudhës së analizuar, ulje është shënuar edhe në detyrimet e prapambetura dhe të papaguara ndaj subjekteve jashtë vendit, të cilat në fund të qershorit arrinin në pothuajse 30.000.000 euro.

Në listën e re të borxheve, edhe më tej “pesë vendet e para” janë të “rezervuara” për dy kompanitë hekurudhore, dy kompanitë shtetërore energjetike dhe një institucion publik (IP) nga fusha e shëndetësisë për nevojat e institucioneve shëndetësore. Analiza krahasuese e “Portalb”-it tregon se në nivel tremujor, kompanitë shtetërore hekurudhore e kanë “fryrë” borxhin, ndërsa detyrimet e prapambetura dhe të papaguara të kompanive energjetike janë ulur.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Konkretisht, në vend të parë, me një borxh që arriti në pothuajse 91.400.000 euro, është HM – Infrastruktura, ndërsa në vend të dytë është HM – Transporti, me detyrime të prapambetura dhe të papaguara në vlerë prej pothuajse 80.000.000 eurosh. Kështu, borxhi vetëm i këtyre dy kompanive nën kontroll shtetëror tejkaloi 171.000.000 euro. Në vend të tretë, me detyrime të prapambetura dhe të papaguara, është IP nga fusha e shëndetësisë (shërbimi i përbashkët për nevojat e institucioneve shëndetësore), me borxh prej pothuajse 35.000.000 eurosh. EMV – Prodhimi i energjisë elektrike ka detyrime në vlerë prej 33.900.000 eurosh, ndërsa EMV – Distribuimi ka pothuajse 30.000.000 euro.

Në listën e re të Ministrisë së Financave gjenden 903 institucione shtetërore, agjenci, komisione, komuna, kompani shtetërore, ndërmarrje publike lokale dhe të qytetit, shkolla, spitale, institucione të mbrojtjes sociale dhe kulturës, gjykata, fakultete, prokurori, ministri, të cilat kanë raportuar se kanë detyrime të prapambetura dhe të papaguara.