Amnistia e Gruevskit është dakorduar në Budapest, thotë Gashi

Ndryshimet në Kodin Penal janë dakorduar në Budapest. Kështu ka deklaruar kryetari i partisë opozitare “Alternativa”, Afrim Gashi në Televizionin Alsat. Ai theksoi se një delegacion qeveritar ka udhëtuar në Hungari dhe së bashku me ish kryeministrin Nikolla Gruevski janë marrë vesh për lëndët gjyqësore në të cilat do të amnistohet, transmeton Portalb.mk.

“Informacionet tona flasin se ky Kod, ndryshimi i Kodit Penal është negociuar në Budapest. Ka shkuar një delegacion i Qeverisë dhe zyrtar të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, kanë shkuar atje dhe bashkë me Gruevskin kanë parë lëndët në të cilat është i dënuar dhe akuzuar dhe kanë parë mundësinë se si me ndryshimet e Kodit Penal ai mund të kthehet këtu në Maqedoni për veprat penale për të cilat është i dënuar në mungesë, të rikthehet procesi gjyqësor dhe për proceset e tjera të ndërpriten, apo të falen apo të vjetërsohen dhe krejt kjo bëhet me arsyetimin se gjoja po bëhet një ndërmarrje për ndryshimet kushtetuese ndërsa në fakt bëhet për arsye të faljes personale të vjedhjeve të tyre që i bëjnë dhe kështu mendojnë të shkaktojnë një huti te elektorati maqedonas”, theksoi Gashi.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, ende nuk kanë ndonjë qëndrim nëse ndryshimet e Kodit Penal janë në kundërshtim me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare dhe investimet në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërsimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.