Përshpirtje për Ferid Muradin

Përshpirtjet shkruhen nën rëndesën e trishtimit. Kjo rëndesë ndjehet edhe në këtë përshpirtje për nobelistin Ferid Muradi, shqiptarin e dytë që e fitoi Nobelin pas Nënës Tereze. Në kësi rastesh e ndjen edhe pafuqinë e fjalëve dhe të epiteteve teksa tenton ta shprehësh nderimin ndaj një emri të madh të shkencës, i cili, ditë më parë, i dha lamtumirën kësaj bote. Sipas Borges-it, kur një njeri i ditur shkon në amshim bashkë me të shuhet një bibliotekë e destinuar për të qenë në shërbim të njerëzimit. Me ikjen në amshim të Ferid Muradit u shua një bibliotekë lëvizëse e shkencës së mjekësisë…

Jetën mund ta krahasojmë me segmentin. Dy skajet kufizuese të tij janë: lindja dhe vdekja. Por jeta e dijetarit është gjysmëdrejtëz. Ajo kufizohet në njërën anë dhe shtrihet deri në pambarim. Nëpërmjet një vepre, zbulimi ose gjurme, që askush s’e ka lënë para tij, njeriu krijon formë të re ekzistenciale, të përgjithmonshme. Këtë formë ekzistenciale e ka siguruar tashmë edhe Ferid Muradi…

Në kohën tonë lehtë mund të bëhesh yll i përkohshëm medial, sepse bota i adhuron spektaklet dhe shfaqjet kalimtare, por historia njerëzore dëshmon se arritja deri te Lavdia e Përjetshme s’ka njohur kësi kompromisesh. Lavdia e Përjetshme garantohet me vepra gjeniale që janë në shërbim njerëzimit. Deri te kjo lavdi arrihet me mijëra net pa gjumë, me punë vigane prej oshënari, me lodhje gjymtyrëmpirëse, me dilema e ankthe të panumërta. Mbi të gjitha, nëpërmjet pasionit të çuditshëm për të provuar edhe kur suksesi s’duket në horizont.

Askush deri sot s’u ngjit rastësisht ose aksidentalisht në Olimpin e Lavdisë së Përjetshme. Deri në këtë maje simbolike arrihet vetëm falë shpikjeve që bota s’i ka njohur më parë dhe të njëjtat i shërbejnë njerëzimit. Vetëm ai që udhëhiqet nga pasioni për të përfituar dije të reja dhe për të arritur një qëllim të epërm human e njeh forcën e çuditshme dhe të pashpjegueshme që e shtyn një kërkimtar të bëjë përpjekje mbinjerëzore për të arritur deri te shpikja. Vetëm duke qëndruar larg zhurmës së përditshmërisë dhe nëpërmjet punës së pareshtur për një qëllim të epërm, njeriu arrin ta shënojë emrin e tij në pllakat e përjetshme të historisë. Këtë privilegj e gëzojnë vetëm ata që librin e konceptojnë si plagë (E. Ciorane) dhe jo si dëfrim. Njëri prej tyre është Ferid Muradi, shpikjet e të cilit, të pranuara dhe të vlerësuara nga bota shkencore, krijojnë botëshikim të ri për jetën dhe shëndetin tonë.

Njerëzit me virtyt dhurimi janë si faret në ishuj, që lëshojnë sinjale drite dhe na shërbejnë për orientim drejt qëllimeve sipërore. Këto shfaqje të rralla shërbejnë si modele orientuese për ata që në kujtesën njerëzore duan të lënë një shenjë të paprekur nga harresa. Si një far që lëshon sinjale drite është edhe vepra e nobelistit Ferid Muradi, këtij adhuruesi të artit të shërimit. Sipas Hipokratit, ai që e adhuron artin e shërimit e do dhe punon për humanitetin.

Bota do të ishte e trishtë dhe do të vuante shumë pa mjekët. Homeri i dha mjekut vlerën e njëqind luftëtarëve. “Sa njëqind luftëtarë vlen mjeku, kur plagët me melhem na i lyen”, shkroi ai.

Misionet humane të shkencëtarëve dhe mjekëve na obligojnë t’i nderojmë dhe respektojmë ata me të njëjtin respekt që e gëzojnë nëpër librat e shenjtë dhe meritorëve t’ua japim vlerën që ua dha Homeri…

Pas pandemisë, pas një kobi planetar, besuam se u vetëdijesuam për vlerën e mjekut dhe të mjekësisë. Se sytë tanë më s’do të drejtoheshin nga njerëzit e spektakleve. Sepse kur troket kobi shpresat tona orientohen drejt njerëzve të dijes. Atëherë, qoftë përkohësisht, njerëzit e spektakleve bëhen pjesë e margjinave të vëmendjes sonë. Atëherë njerëzit e dijes rikthehen nën reflektorët e vëmendjes së përgjithshme falë përpjekjeve të tyre mbinjerëzore për të shpëtuar jetë njerëzish. Por kujtesa njerëzore, në këtë qytetërim shëmbëllesash, mjerisht është e shkurtër. Vëmendja njerëzore, në këtë qytetërim virtualiteti dhe hiperrealiteti, sapo kalon një kob, u rikthehet gjërave të zakonshme, refreneve të mërzitshme, klisheve dhe reve kalimtare, por i harron krijuesit e veprave që i shërbejnë njeriut. Veprat e Ferid Muradit na ndihmojnë të gjithëve dhe meritojnë respektin e të gjithë njerëzve. Ta respektosh dhe ta vlerësosh punën dhe suksesin e tjetrit është madhështi njerëzore. Njeriu i kulturës e di se nuk lindi i ditur, por u pasurua falë dijeve, përvojave dhe shpikjeve të paraardhësve tanë.

Për një komb të vogël është madhështore kur nga gjiri i tij dalin shkencëtarë, zbulimet e të cilëve i shërbejnë njerëzimit. Emri i Ferid Muradit na lumturon dhe na bën krenar, sepse i përket gjithë njerëzimit.

Shqiptarët nuk i dhanë botës vetëm njerëz veprimi (ushtarakë, strategë e politikanë), siç thuhet shpesh në librat e historisë botërore, por edhe njerëz mendimi (dijetarë, shkencëtarë e artistë). Ky fakt mjafton të themi se jemi si gjithë popujt e botës dhe e kemi vendin tonë në tryezën e madhe të qytetërimit.

Ata që e studiuan etnopsikologjinë tonë, pa u kapluar nga paragjykimet dhe dallditë etnike, thanë njëzëri se shqiptari, për nga natyra, është i zgjuar, i hapur, me ndjenjë të çuditshme ambientimi, por e ka edhe guximin e çuditshëm për të provuar gjëra të reja dhe të panjohura. Guximi për të provuar – kjo forcë vendimtare që shpie drejt zbulimeve të reja – nuk i mungoi nobelistit Ferid Muradi. Këtë guxim ai e kishte në gjenet e tij.

Njeriu i viseve tona, i rritur në vende me ekonomi ekzistenciale dhe ku historia shënoi shumë prerje tragjike, shpesh i sakrifikoi ëndrrat dhe pasionet e tij duke u fokusuar te gjërat ekzistenciale, pa mundur të dëshmohej në sferën mendimtare dhe shkencore. Por sapo atij iu krijua mundësia, renditi suksese të mëdha në sferën artistike, mendimtare dhe shkencore. Kush e ka studiuar temperamentin e njerëzve të këtyre viseve e di se ata nuk e shtyjnë jetën me ankesa dhe duke e mallkuar fatin e zi. Ata, sa herë ndienin se u rrezikohej ekzistenca familjare, kërkonin mundësi të reja. Njëri nga këta ishte Xhabir Ejub Muradi nga Lakavica e Gostivarit. Ai dhe gruaja e tij Henrieta Josephina nuk krijuan vepra shkencore. Vepra e tyre është Ferid Muradi, fitues i Çmimit Nobel për Mjekësi në vitin 1998. Ai jetoi në një vend me mirëqenie sociale, që i mundësoi të thellohej në gjëra esenciale…

Adresa e re e Ferid Murad-it tani është eterike, qiellore. Vepra e tij do të rrezatojë përgjithmonë në shkencën e mjekësisë. Ferid Muradi la një pasuri që nuk zhvleftësohet dhe nuk asgjësohet nga koha. Ai e studioi njeriun. Ta studiosh njeriun, këtë mikrokozmos misterioz, është po aq e vështirë sa ta studiosh kozmosin. Shkencëtarët si Ferid Muradi, që punuan për një botë më të mirë, janë (ose duhet të jenë) modele të çdo kohe. Për shkencëtarët si ai, prehja e përjetshme, siç tha Soresku për Shekspirin, është pushim pas lodhjes së gjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.