Amësia digjitale

Jetojmë në epokën e brezit Z dhe Alfa, në kohën e brezit të zoomer-ëve, të iGeneration, një epokë e cila ka një koncept dhe botëkuptim krejt tjetër nga ai i prindërve tanë. Brezi i sotëm është i pakrahasueshëm me ata që kanë jetuar para disa dekadash apo më parë. Sot, në kohën kur ndodhemi të mbërthyer nga të katër anët nga teknologjia e informacionit, nga virtualiteti, shumë prindër janë të shqetësuar jo vetëm për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve të tyre, por edhe për rolin e tyre si prindër “të mirë” dhe “të përgjegjshëm”. (Siibak, 2019) Ata kanë dilema të natyrës “të jem shumë liberal”, madje edhe sharent (prindërit që postojnë në rrjetet sociale gjëra që lidhen me fëmijët e tyre), apo të bëhem një intimate dataveillant, apo kontrollues strikt i të dhënave të fëmijëve nëpër pajisjet digjitale dhe platformat e ndryshme online.

Amësia është një ndjenjë e veçantë që u është dhuruar grave, domethënë nënave. Nëna përbën modelin, kultivuesen fizike, mendore dhe psikologjike të fëmijës. Nënat e epokës digjitale, ndryshe nga ato tradicionale, përveçse janë të zëna me punë jashtë shtëpisë, me higjienën, gatimin dhe edukimin, janë të ngarkuara edhe me “përgjegjësi” që nuk ishin dikur. Ka edhe të atilla që kanë arritur edhe epitetin e nënave sipërmarrëse, apo të mompreneurship, që mundohen të ruajnë biznesin dhe amësinë në të njëjtën kohë. Dikur, me bashkëshortin dhe të tjerët, nënës i duhej ta mbronte fëmijën nga sokaku apo kultura e rrugës, ndërsa sot nga kurthet e një bote të pafundme, abstrakte, të augmentuar, ku nevoja për përindërim dinamik (intensive parenting) është e dukshme.

Tashmë nënës i duhet të zotërojë e-teknologjinë, të njohë mundësitë dhe rreziqet e kësaj bote; i duhet një edukim digjital (digital literacy).

Teknologjia po i pushton fëmijët nga dita në ditë, duke i izoluar, duke i çuar në një botë tjetër, virtuale; duke i bërë pre të varësisë digjitale të nomofobisë. Artikuj të shumtë janë shkruar lidhur me “rolin e ri të nënës në e-botën”, ose për “amësinë digjitale” dhe përgjegjësitë; për nënën ideale të kësaj periudhe kritike dhe tepër problematike. Të dhënat e një studimi me 409 prindër, përgatitur nga Manap-i (2020), tregojnë se shkalla e të qenit shembull i keq dhe e neglizhencës digjitale te gratë është më e ulët se te burrat.

Kohëve të fundit është rritur dukshëm kërkesa për logopedë. Para disa ditësh, një nënë nga rrethi i Shkupit tregonte se e kishte çuar vajzën e vet në çerdhe, dhe mësuesja i kish treguar se shumë prindër u drejtohen me fjalët: “Aman, ju lutem, flitini shqip, se ai/ajo flet në gjuhë të huaj”, madje edhe rusisht. Filmat e animuar japonezë përmbajnë dhunë, gjak dhe seksualitet; kanë një ndikim negativ për zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijëve (Harris, 2017), ndërkohë që shumë fëmijë abuzohen kibernetikisht (cyber-bullizmi, pornografia fëminore, sexting…) gjithandej globit. Sipas një hulumtimi, në vitin 2021, më shumë se 1/3 e nxënësve të shkollave të mesme në SHBA kanë shfaqur një mirëqenie të dobët, palumturi në pjesën më të madhe të kohës ose gjatë gjithë kohës. (Cohen-Sandler, 2022)

Prandaj, roli i nënës si mësuese e brezave është i veçantë. Ajo ka një mision të jashtëzakonshëm në kohën kur lavjerrësi sillet nga nënat fenomen (Ayaz & Aytekin, 2021) te mome shaming[1]. (Delgado, 2022).

Libri Amësia digjitale i Aydoğan-it, botuar nga Logos-A, është një manual për përballjen me karakteristikën e epokës, që po merr edhe kuptimin e “kërcënimeve”. Autorja trajton edhe tema si anakronizmi (#tbt) i brezit Y, triadën fëmijë-nënë-inteligjencë artificiale, dëmet e të qenit vazhdimisht online, magjinë e like-ve dhe ndjekësve, dhunën digjitale, internetin si kurth dhe si dado postmoderne, digjitalizimin e arsimit si sfidë, amësinë në realitetin e ri pas Covid 19 e shumë të tjera.

Kjo vepër duhet të lexohet nga çdo nënë, madje nga çdo prind, në mënyrë që të jemi më syçelë karshi zhvillimeve marramendëse, që përveç përfitimeve të padiskutueshme, shpesh gërryejnë edhe dheun nën këmbët e më të dashurve tanë, fëmijëve, madje rrezikojnë edhe të ardhmen tonë si shoqëri dhe si njerëzim (Deepmind dhe Universiteti i Oksfordit: “Inteligjenca artificiale mund të na shkatërrojë” [Cohen 2022]). “Pa ndalesa”, “me komunikim dhe përzgjedhje konsensuale”, “me sugjerime miqësore” janë disa nga formulat e autores, gjë që duket racionale dhe e dobishme.

Sugjerojmë edhe veprën Fëmijët e tabletit (Logos-A, 2020), sepse edhe ky është një libër që lidhet me ketë temë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.