Ambasadorja Aggeler: SHBA e zhgënjyer me gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler ka shprehur dëshpërimin e saj për gjendjen në fushën e drejtësisë, që është ndër më të kritikuarat për shkak të pranisë së korrupsionit, ndikimeve politike, mungesës së efikasitetit dhe profesionalizmit, transmeton REL.

Ambasadorja Aggeler ka thënë se përkundër përkushtimit dhe ndihmës së madhe financiare të qeverisë amerikane në dekadat e fundit për ngritjen e një sistemi funksional dhe të pavarur gjyqësor, rezultatet mungojnë.

“Fatkeqësisht, investimi ynë në progresin e gjyqësorit nuk dha rezultatin e pritshëm”, ka thënë Aggeler

“Kur bëhet fjalë për progresin në gjyqësor jemi të zhgënjyer. Gjatë tridhjetë viteve të fundit, ne kemi investuar gjysmë miliardë dollarë në programet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, por nuk po shohim përmirësimet dhe reformat që prisnim nga një investim kaq i madh”, ka thënë ambasadorja amerikane Angela Ageler, në një intervistë për gazetën Kapital.

Ajo ka shprehur shqëtësimin e saj mbi praninë e korrupsionit jo vetëm në gjyqësor por edhe në fushat tjera

“Korrupsioni sistematik në të gjithë vendin në të gjithë sektorët po dëmton njerëzit e Maqedonisë së Veriut. Ju të gjithë meritoni një shoqëri, një gjyqësor, një qeveri, veprimet e së cilës janë transparente dhe ju shërbejnë juve – qytetarëve. Është një gurthemel i një demokracie të drejtë dhe funksionale. Kjo është ajo ku qeveria duhet të fokusohet, pavarësisht se cila parti është në pushtet”, është shprehur Aggeler.

Sipas saj, “gjyqësori duhet të jetë një sferë e pavarur, plotësisht e vetfinancuar dhe jopolitike e qeverisë. Udhëheqësit politikë këtë duhet ta duan dhe ju qytetarët duhet ta kërkoni”.

Ndryshe më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.

Ambasadori, David Geer ka paralajmëruar ardhjen në Shkup të një misioni për vlerësimin e punës së Këshillit Gjyqësor, organit më të lartë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, që zgjedh dhe monitoron punën e gjykatësve.

Por, Këshilli ka qenë në shenjstër të kritikave për zgjedhjen e kuadrove partiak në pozita drejtuese në organet e drejtësisë, por edhe për mos veprim në më shumë raste lidhur më vjetërsimin apo mos procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me zyrtarë të lartë shtetëror.

LEXO: Merko nuk jep dorëheqje: Do të bashkëpunoj me organet e drejtësisë