Merko nuk jep dorëheqje: Do të bashkëpunoj me organet e drejtësisë

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili javën e kaluar u shpall nga Departamenti Amerikan i Shtetit person “non grata”, sot nëpërmjet një statusi në Facebook, ka shkruar se e ka ngrirë aktivitetin partiak dhe do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, njofton Portalb.mk.

“Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera. Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë”, shkruan mes tjerash Merko.

Sot, Prokuroria njoftoi se katër prokurorë publikë nga prokuroria republikane, po kryejnë inspektim në Prokurorinë Themelore Publike (PThP) në Strugë, por edhe në Gjykatën e Lartë në Manastir, në territorin e së cilës bie Struga, për rastet që kanë të bëjnë me Merkon, pasi kundër tij janë hapur gjashtë lëndë, por për asnjërin nuk ka pasur përfundim.

Merko dhe familja e tij u futën në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara një javë më parë (më 20 qershor) për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm dhe, siç njoftoi Departamenti i Shtetit, për përvetësim dhe ndërhyrje në procese gjyqësore dhe të tjera publike.

Pas kësaj dhe pas reagimeve në opinion për mosveprimin e institucioneve vendore, Prokuroria Publike ka paralajmëruar kontrollet e sotme për të vërtetuar nëse ka pasur veprime joprofesionale nga ana e prokurorëve.

“Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut merr jashtëzakonisht seriozisht njohuritë e Departamentit Amerikan të Shtetit për ndikimin e mundshëm të këtij personi në procedurë. Për këto arsye, prokuroria do të hetojë menjëherë ligjshmërinë dhe shpejtësinë e veprimeve dhe ndikimin e mundshëm në veprimet e çështjeve për çdo rast. Për të gjithë prokurorët për të cilët konstatohet se nuk kanë vepruar me kohë, joprofesionale dhe nën ndikim, do të inicohet procedura e llogaridhënies dhe publiku do të informohet me kohë”, kanë thënë më 22 qershor nga Prokuroria Publike.

Nga aty kanë publikuar edhe listën e rasteve në të cilat ka kallëzime penale ndaj Merkos – bëhet fjalë për gjashtë lëndë aktive, shumica prej të cilave janë për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe janë formuar sipas kallëzimeve penale nga shoqatat e qytetarëve, avokatë, Drejtoria e Policisë Financiare… Më e vjetra daton në vitin 2015, por ende nuk është mbyllur pasi që nga viti 2020 ende pret një ekspertizë shtesë nga Byroja e Ekspertizës Mjeko-Ligjore.

Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli “non grata”, Ramiz Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më 21 qershor, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.