Ligji për Nëpunësit Administrativ është miratuar në Qeveri: Parasheh mënyrë të re në procedurën e punësimit në administratën publike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e 204-të, me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe e Administratës (MSHIA) miratoi pesë ligje për reforma në administratën publike dhe transformimin digjital të shtetit. Njëri prej tyre është Ligji për Nëpunësit Administrativ, i cili mes tjerash, parasheh dhe mënyrë tjetër të procedurës së punësimit, shkruan Portalb.mk.

“Përforcohet procedura për punësimin e zyrtarëve administrativ. Do të ketë testim hyrës për zyrtar administrativ jashtë procedurës, pra deri tani ka qenë një proces, është hapur konkurs për punësim dhe paraqitet, testohet dhe më pas punësohet. Kandidati një herë e kalon testimin dhe më pas në të gjitha konkurset tjera për administratë mund të konkurrojë, pa pasur nevojë sërish të testohet, në afat prej 5 vitesh”, shpjegoi ministri Azir Aliu gjatë brifingut të sotëm me gazetarët.

Ekspertët treg të cilët e kanë përgatitur ligjin, thanë se megjithatë ky do të jetë vetëm testim hyrës, ndërkaq në vetë procedurën do të ketë edhe testime tjera.

“Në procedurë do të ketë sërish kontroll të njohurive dhe përvojës, në fazën e dytë, ku do të mund të ketë test, studim të rastit për vendin konkret të punës. Ky është vetëm testim hyrës ku ju duhet ta dini strukturën e shtetit, duhet të dini njohuri bazike të Kushtetutës, njohuri bazike të ligjeve siç është Ligji për Nëpunësit Administrativ dhe të Punësuarit në Sektorin Publik pasi që këto janë ligjet që i mbrojnë të drejtat tona dhe çdo i punësuar duhet t’i dijë të drejtat dhe obligimet”, shpjeguan ekspertët.

Gjatë elaborimit, ministri tha se Ligji për Nëpunësit Administrativ do të kontribuojë në reformat e administratës publike dhe krijimin e një administrate profesionale, të motivuar dhe të depolitizuar.

“Ky ligji përkufizon qartë kompetencat e nëpunësve administrativ dhe forcon kushtet, procedurat dhe funksionalitetet e të gjitha organeve në institucione. Krijohen kushtet për procedurat e duhura për punësimin e nëpunësve administrativ, me ngritjen e komisioneve përkatëse dhe profesionale. Gjithashtu, zgjidhja ligjore specifikon procedurën e zhvillimit të karrierës, një sistem të ri përllogaritjeje pagash, motivim shtesë të punonjësve dhe avancim të punës dhe kapaciteteve profesionale të administratës, si dhe për herë të parë vendoset shtesa për mbajtjen e nëpunësve administrativ. Ligji rregullon edhe punën e komisionit për kontrollin e procedurave të punësimit përmes planit të përcaktuar të punës dhe përgatitjes së raporteve me gjetje dhe rekomandime”, tha Aziri.

Sipas detajeve tjera, me këtë ligj do të harmonizohet edhe niveli i pagës me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, ndërkaq do të ketë edhe shtesa në rrogë për mbajtjen e kuadrit.

“Çdo zyrtar administrativ në tërë sektorin publik, nëse i plotëson 4 prej kritereve të cilat janë të definuara përmirësimin dhe analizën e vendit të punës, ai ka të drejtë të ketë shtesë në rrogë deri në 30%”, shtoi Aziri.

Gjithashtu do të kufizohet sistematizimi i vendeve të punës për ndihmës udhëheqës sektori dhe ai nuk mund të jetë më shumë se 2 në një sektor.

“Këtë e bëjmë për shkak të numrit të madh të administratorëve të tillë në institucioneve. Gjithashtu zvogëlohet edhe niveli i kategorisë G, i cili është ndihmës zyrtar profesional, nga 4 në 2.

Në lidhje me çështjen e avancimeve të administratorëve, ekspertët e grupit punues që kanë punuar ligjin, të cilin ishin të pranishëm në brifing, për Portalb.mk, shpjeguan se edhe ligji aktual këtë e lejon, por se kjo është çështje e menaxhmentit, i cili duhet të angazhohet për avancimin e administratorëve.

“Ajo që disa prej të punësuarve janë mbi 15 vjet në një vend pune, këtu fajtor nuk është ligji, por menaxhmenti i institucionit”, thanë ekspertët.

Ligji pritet javës së ardhshme të dërgohet në Kuvend, ku me procedurë të shkurtuar dhe flamur evropian duhet të miratohen. Nëse miratohen, zbatimi i këtij ligji do të fillojë prej vitit 2025.

Zbatimi i këtij ligji pritet të nis prej vitit 2025, në përjashtim të pjesës që ka të bëjë me rrogat.

Ky ligj paralajmërohet me vite, ndërkaq së fundmi, në tetor të këtij viti, në takim me gazetarët ministri Aliu foli për risitë e të punësuarve në sektorin publik dhe administratë.

Ndryshe, RMV, në raportin e skriningut në fushën e reformave në administratën publike RMV ka marrë notë 3. Sipas ministrit Azir Aliu me miratimin e këtyre dy ligjeve dhe ligjin për Shërbim të Lartë Udhëheqës, nota do të përmirësohej në 4 ose 5.