Inteligjenca Artificiale, enigmë për mediat e Maqedonisë së Veriut

Ndërsa bota debaton në mënyrë të ashpër për pasojat pozitive dhe negative të sistemeve më të fundit të inteligjencës artificiale, ndërsa mediat më me ndikim sjellin rekomandime dhe udhëzime për përdorimin e tyre në profesionin e gazetarisë, në mediat e Maqedonisë ky revolucion i ri teknologjik është ende një temë tabu.

Autore: Maja Blazhevska
Burimi: Respublica

Pas shfaqjes së internetit dhe rrjeteve sociale, zhvillimi i inteligjencës artificiale konsiderohet si vala e tretë e zhvillimit teknologjik. Si një fenomen relativisht i ri, çdo gjë që lidhet me inteligjencën artificiale konsiderohet një aftësi e re. Ajo ka çuar në përparime të rëndësishme në shumë fusha, për shembull, në funksionimin e agregateve të lajmeve ose në përkthimin automatik të përmbajtjes në gjuhë të ndryshme. Por përdorimi i inteligjencës artificiale do të çojë në mënyrë të pashmangshme në ndryshimin e perspektivave të punës së redaksive.

Me disa përjashtime, mediat maqedonase ende nuk përdorin inteligjencën artificiale në punën e tyre të përditshme dhe nuk kanë përgatitur udhëzime dhe rekomandime për gazetarët dhe punëtorët e tyre mediatik lidhur me përdorimin e mundshëm. Asnjë redaksi nuk ka qëndrim në lidhje me përdorimin e saj në procesin e krijimit të përmbajtjes mediatike apo në mënyrën e funksionimit të redaksive.

Për të hulumtuar se si është mendimi në redaksitë maqedonase, biseduam me njëmbëdhjetë kryeredaktorë dhe përgjegjës nga mediat më me ndikim në vendin tonë.

“Ne nuk e përdorim dhe kemi një qëndrim që nuk duhet të përdoret”, thotë një kryeredaktor i një portali.

Megjithatë, redaktorët janë të bindur në rëndësinë e temës dhe në faktin se çështja rreth përdorimit të inteligjencës artificiale do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme duke pasur parasysh trendet globale dhe procesin e rregullimit të kësaj fushe, i cili është në vazhdim e sipër në Bashkimin Evropian. “Jemi të vetëdijshëm se po ndërgjegjësohemi”, thotë njëri prej tyre.

Sipas hulumtimit të kryer në muajin dhjetor, kryeredaktorët dhe përgjegjësit në mediat maqedonase me ndikim analizojnë mundësitë dhe përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në media dhe mendojnë se si t’i aftësohen dhe trajnohen për ta përdorur atë dhe në cilat segmente mund të përfshijnë atë, për shembull, si një mjet për zbulimin e lajmeve të rreme ose në procesin e arkivimit.

Në mesin e redaktorëve maqedonas me të cilët biseduam, ekziston besimi se gazetarët nuk duhet të mbështeten në inteligjencën artificiale si mjet për krijimin e lajmeve, pa kontrolluar paraprakisht atë produkt nga redaksia.

Agjencia për Informim Mediatik (MIA), agjencia më e madhe shtetërore e lajmeve, thotë se janë duke punuar për të ofruar trajnime për redaktorët, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave për përdorimin e sigurt dhe korrekt të inteligjencës artificiale. Ata shtojnë se besimi i përdoruesve të tyre është më i rëndësishmi për ta dhe prandaj i qasen me kujdes futjes së risive në punën e tyre. Njëkohësisht thonë se MIA publikon çdo ditë tekste për teknologjitë e reja dhe aplikimin e tyre për t’i kontribuar të gjithë komunitetit, jo vetëm mediave, për informim më të mirë për inovacionet digjitale dhe teknologjike, përdorimin e tyre dhe mbrojtjen e qytetarëve nga keqpërdorimet e mundshme.

Nga të gjithë redaktorët e intervistuar, vetëm një themelues i portalit deklaroi se ai përdor mjete të bazuara në inteligjencën artificiale për gjenerimin e teksteve dhe kontrollin gramatikor. Megjithatë, thotë ai, i përdor ato me shumë kujdes dhe pa u mbështetur plotësisht tek ato. Ai thekson se disa nga këto mjete janë ende në zhvillim e sipër dhe mund ta çojnë punën e gazetarit në drejtim të gabuar. Ai shton se ajo që inteligjenca artificiale nuk do të arrijë kurrë është të nxjerrë emocionin në sipërfaqe, të tregojë historinë përmes një prizmi që vetëm një njeri mundet ta bëjë.

Media botërore me hapa pioniere

Disa media në Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar se përmbajtja e tyre është prodhuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe se ekipi redaktues ishte i përfshirë në proces. Transmetuesi ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle tashmë përdor aplikacione të bazuara në inteligjencën artificiale për të analizuar bazat e të dhënave të mëdha për kërkime ose për të përkthyer artikuj, por gazetarët ende kryejnë kontroll të cilësisë.

Qëndrimi i ekipit redaktues është se inteligjenca artificiale mund të përdoret për të kërkuar më mirë motorët e kërkimit në internet ose për të identifikuar gjuhën e urrejtjes, por që gazetarët duhet të kontrollojnë gjithmonë cilësinë e këtij informacioni. Kjo shtëpi mediatike thotë se inteligjenca artificiale gjeneruese nuk do të ndryshojë rolin dhe punën e gazetarëve.

Burimi: freepik.com

Në rregulloren e një prej agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, Associated Press, thuhet se mjetet e inteligjencës artificiale nuk mund të përdoren për të krijuar përmbajtje postimi ose foto në shërbimet e tyre. Përmbajtja e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale duhet të shqyrtohet me kujdes, ashtu si përmbajtja e marrë nga çdo burim tjetër lajmesh, gjë që është thelbësore për të mbrojtur integritetin e profesionit të gazetarisë.

Për një dekadë, kjo agjenci lajmesh ka eksperimentuar me forma më të thjeshta të inteligjencës artificiale, për shembull, për të krijuar lajme të shkurtra biznesi ose lajme me rezultate sportive.

Agjencia e lajmeve Reuters ka zhvilluar një vegël që me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe algoritmeve shërben për të vërejtur lajmet në rrjetet sociale dhe kjo vlen veçanërisht për rastet e lajmeve të jashtëzakonshme dhe të fundit. Algoritmet shqyrtojnë një grup postimesh që i referohen të njëjtës ngjarje dhe krijojnë një renditje nëse dhe sa i rëndësishëm është një lajm për t’u publikuar. Megjithatë, gazetarët e Reuters, përmes kanaleve të tyre, e verifikojnë në mënyrë të pavarur lajmin përpara se të publikohet. Kjo vegël u jep atyre një avantazh ndaj agjencive të tjera në procesin e publikimit të lajmeve.

Transmetuesi publik britanik BBC prezantoi tre parimet mbi të cilat do të bazohet qasja e tyre sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale të gjeneruar. Prioritetet e tyre janë të punojnë në interesin më të mirë të audiencës, duke dhënë vlerë më të madhe, duke i dhënë përparësi talentit dhe krijimtarisë, prezantimit autentik dhe njerëzor, dhe të qenit të hapur dhe transparent me audiencën në lidhje me përdorimin e inteligjencës artificiale.

Transmetuesi Publik Britanik së shpejti do të nisë disa projekte që do të eksplorojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në përmbajtjen që ata krijojnë dhe mënyrën e funksionimit të tyre.

Mbështetja në veglat e inteligjencës artificiale për të krijuar dhe shpërndarë lajme pa u verifikuar nga gazetarët mund të çojë në përhapjen e dezinformatave, lajmeve të rreme dhe lajmeve bizare. I tillë është rasti me portalin amerikan të internetit në pronësi të Microsoft, msn.com.

Duke u mbështetur në përdorimin e inteligjencës artificiale, proces për të cilin u pushuan nga puna gazetarë dhe redaktorë, portali publikoi lajme krejtësisht të pasakta, raporte të përcjella nga portalet e vogla pa informacion se kush qëndron pas politikës së tyre editoriale, apo lajme me tituj të papërshtatshëm dhe të çuditshëm. Ish-redaktorët e portalit thonë se kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të kishin qëndruar në procesin e punës.

Udhëzimet evropiane për përdorimin e inteligjencës artificiale

Në Bashkimin Evropian, ekziston një vetëdije se mënyra se si i qasemi inteligjencës artificiale do të përcaktojë botën në të cilën do të jetojmë në të ardhmen, do të ndihmojë në ndërtimin e një Evrope rezistente, kurse njerëzit dhe bizneset do të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur.

Komisioni Evropian ka propozuar tre iniciativa ligjore që duhet të çojnë në ndërtimin e një inteligjence artificiale të besueshme: një kornizë ligjore evropiane për inteligjencën artificiale që adreson të drejtat themelore dhe rreziqet e sigurisë, një kornizë për përgjegjësinë civile, përshtatjen e rregullave të përgjegjësisë në epokën digjitale dhe epokën e inteligjencës artificiale dhe rishikimi i legjislacionit të sektorit të sigurisë.

Në qershor të vitit 2023, Parlamenti Evropian miratoi pozicionin negociues për inteligjencën artificiale. Rregullat duhet të sigurojnë që inteligjenca artificiale që është e zhvilluar dhe që përdoret në Evropë të jetë plotësisht në përputhje me të drejtat dhe vlerat e BE-së, duke përfshirë mbikëqyrjen njerëzore, sigurinë, privatësinë, transparencën, mosdiskriminimin dhe mirëqenien sociale dhe ekonomike.

Teoricienët e shkencave të komunikimit pohojnë se masmediat marrin formën dhe ngjyrën e strukturave të caktuara shoqërore dhe politike, si dhe rrethanat në të cilat ato funksionojnë.

Çështja se si do të përdoret inteligjenca artificiale duhet të jetë pjesë e trajnimit të gazetarëve dhe punonjësve të medias së ardhshme, e arsimit në përgjithësi, por edhe një synim i aktiviteteve të ndërmarra në një shoqëri për rritjen e shkrim-leximit mediatik tek studentët dhe pjesa tjetër e popullsisë.

Ndjekja e parimeve etike do të duhet të jetë një nga parimet mbi të cilat do të bazohet përfshirja e pashmangshme e saj në punë dhe përshtatja e redaksive me trendet e reja.