Lëvizje në çmimet e derivateve të naftës në RMV, do të hyjnë në fuqi në mesnatë

Nga mesnata do të hyjnë në fuqi çmime më të larta për shumicën e derivateve të naftës, vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE). Sipas vendimit, çmimet mesatarisht rriten me 1,47 përqind krahasuar me ato të përcaktuara më 29 qershor, transmeton Portalb.mk.

Çmimi me pakicë i benzinës Eurosuper BS-95 rritet për 1 denar, duke arritur në 85,50 denarë për litër, ndërsa Eurosuper BS-98 gjithashtu shtrenjtohet për 1 denar dhe do të shitet me 87,50 denarë për litër.

Rritja më e madhe është regjistruar te dizeli (Eurodizel D-E V), çmimi i së cilës rritet për 2,5 denarë, duke arritur në 82,50 denarë për litër.

Edhe vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) shtrenjtohet për 2 denarë, me çmimin e ri prej 81,50 denarë për litër.

Ndryshe nga derivatet e tjera, mazuti M-1 NS pëson ulje prej 0,265 denarë për kilogram, duke u shitur me 41,230 denarë për kilogram.

Nga KRRE bëjnë të ditur se korrigjimi i ri i çmimeve është rezultat i lëvizjeve në tregjet ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit të denarit ndaj dollarit amerikan.

Sipas të dhënave të Komisionit, krahasuar me përllogaritjen e kaluar, çmimet referente në tregjet botërore janë rritur me 2,576 përqind për benzinat, 5,201 përqind për dizelin dhe 4,681 përqind për vajin ekstra të lehtë për amvisëri, ndërsa te mazuti është regjistruar një ulje prej 0,967 përqind.

Në përllogaritje është përfshirë edhe ndryshimi i kursit të denarit ndaj dollarit amerikan, i cili gjatë periudhës së fundit ka shënuar rritje minimale.

Një ditë më parë, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se priste rritje të çmimit të dizelit prej 2 deri në 2,5 denarë për litër, ndërsa benzinat të shtrenjtoheshin për rreth 1 denar për litër. Sipas tij, këto pritje bazohen në lëvizjet e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj në bursat ndërkombëtare gjatë javës së kaluar.

Ndërkohë, opozita, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), reagoi duke thënë se Mickoski paralajmëroi rritjen e çmimeve të karburanteve, por nuk ofroi masa për mbrojtjen e qytetarëve nga goditja e re e çmimeve.

Sipas LSDM-së, Qeveria nuk po ndërmerr hapa konkretë për përmirësimin e standardit të jetesës, ndërkohë që qytetarët po e kanë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazë.