Akuza kundër babait dhe dy vajzave nga Kriva Pallanka për pengimin e punonjësve të AUV-së të sekuestrojnë bagëti
Prokuroria Themelore Publike (PTHP) e Kriva Pallankës ngriti aktakuzë kundër babait dhe dy vajzave të tij për kryerjen e veprës penale – pengimin e zyrtarëve nga kryerja e detyrave zyrtare, transmeton Portalb.mk.
Në përshkrimin e rastit nga Prokuroria, thuhet se më 2 dhjetor, babai dhe dy vajzat e tij në vendin Samokov, pranë fshatit Luçe të Krivo Pallankës, penguan punonjësit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) të kryenin detyra zyrtare dhe të vepronin sipas një vendimi ligjërisht të detyrueshëm për sekuestrimin e bagëtive.
“Babai akuzohet gjithashtu për rrezikimin e sigurisë së katër personave të pranishëm gjatë ngjarjes, duke i kërcënuar seriozisht me sulm ndaj jetës dhe trupit të tyre, me qëllim shqetësimin dhe frikësimin e tyre. Prandaj, ai akuzohet edhe për veprën penale – rrezikim të sigurisë”, tha Prokuroria në një deklaratë.
Një nga vajzat, nga ana tjetër, akuzohet gjithashtu për sulm ndaj një zyrtari gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë. Ajo lëndoi fizikisht një zyrtar policie i cili u thirr për të ndihmuar në sekuestrimin e bagëtive, duke e tërhequr zvarrë dhe duke i gërvishtur fytyrën.
Për shkak të veprimeve të tre të pandehurve, punonjësve të AUV u është penguar të veprojnë sipas vendimeve dhe të sekuestrojnë bagëtinë nga të pandehurit.
Sipas Prokurorisë, tre individëve iu urdhërua paraburgimi gjatë procedurës së mbledhjes së provave.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori publik kompetent i paraqiti Gjykatës propozim për masën zgjatje e paraburgimit për babanë dhe njërën nga vajzat.