Disa institucione, organe arsimore, përfaqësues të sektorit civil dhe partnerë ndërkombëtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë filluar me përpilin e Strategjisë së re arsimore e cila do të jetë e vlefshme prej vitit 2026 – 2032. Në takimin e parë të punës, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se dokumenti duhet të sigurojë vazhdimësinë e asaj që ishte e mirë deri më tani, të modifikojë atë që nuk i ka përmbushur plotësisht pritjet dhe të mundësojë integrimin e trendeve dhe standardeve të reja globale arsimore tek ne, transmeton Portalb.mk.
“Strategjia do të fokusohet në sigurimin e qasjes së barabartë në arsim cilësor për të gjithë, të gjithëpërfshirjes, kujdesit për shëndetin e mirë mendor dhe fizik të të rinjve, harmonizimin e politikave arsimore me tregun e punës, dixhitalizimin, shkrim-leximin dixhital dhe mediatik, si dhe zbatimin e teknologjive të reja”, tha Janevska, duke theksuar se Maqedonia duhet të përshpejtojë në realizimin e ndryshimeve të mëdha, duke pasur parasysh se edhe Komisioni Evropian kishte vërejtje për zhvillimin e ngadalshëm të arsimit gatë viteve të fundit.
Ministrja u shprehu mirënjohje të gjithë partnerëve, të cilët, siç u shprehë ajo, kanë ekspertizën dhe përvojën e tyre në ndërtimin e strategjive, krijimin e politikave dhe implementimin e tyre. Ministrja falënderoi veçanërisht katër mbështetësit kryesorë – UNICEF, UNDP, Bankën Botërore dhe GIZ, me të cilët nënshkroi letër zyrtare për mbështetje.