Presidenti Pendarovski për vizitë pune në Kosovë, u takua me Osmanin dhe Kurtin

Presidenti Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Republikën e Kosovës, sot në Prishtinë ka zhvilluar takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu si dhe me kryeministrin Albin Kurti, transmeton Portalb.mk.

Në takimin me Osmanin u shpreh kënaqësia për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve, të cilat janë miqësore, dinamike dhe të bazuara në respekt dhe mirëkuptim reciprok.

Në fokus të bisedimeve ishin temat aktuale nga marrëdhëniet dypalëshe, perspektiva evropiane e dy vendeve, zhvillimet rreth dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe sfidat rajonale dhe shumëpalëshe dhe situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Presidenti Pendarovski rikonfirmoi qëndrimin e mbështetjes së aspiratave euroatlantike të Kosovës, si dhe qasjen aktive të Kosovës ndaj iniciativave dhe forumeve ekzistuese rajonale, duke theksuar se vendi ynë është i gatshëm të ndajë përvojat e veta në lidhje me proceset reformuese, si në rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe në lidhje me anëtarësimin në Aleancën e NATO-s.

Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit arritën në përfundimin se të dy vendet kanë një vend të rëndësishëm me rolin e tyre aktiv në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm, fqinjësisë së mirë dhe prosperitetit ekonomik në këtë pjesë të Evropës dhe se e ardhmja e përbashkët në strukturat euroatlantike është një aksion në stabilizimin dhe prosperitetin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Të dy presidentët u angazhuan për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, veçanërisht në ekonomi, si dhe theksuan përkushtimin e tyre për një kontribut aktiv në një rajon të zhvilluar infrastrukturor dhe ekonomikisht të begatë.

Ndërkohë në takimin me kryeministrin Albin Kurti u bisedua për bashkëpunimin e gjithëmbarshëm ndërmjet dy vendeve, ku u vlerësua se të dyja vendet ruajnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me dialog të hapur në të gjitha nivelet, si dhe u shpreh interesimi për avancimin e tij në të gjitha sferat me interes të përbashkët.

Stevo Pendarovski dhe Albin Kurti. Foto: Kabineti i presidentit Pendarovski
Stevo Pendarovski dhe Albin Kurti. Foto: Kabineti i presidentit Pendarovski

Në takim u shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në rajon, duke përfshirë edhe dialogun Beograd-Prishtinë. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski theksoi se në kushtet e krizave të shumta dhe sfidave të sigurisë në nivel global, gjetja e zgjidhjeve për çështjet e hapura përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë është me rëndësi të madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Pendarovski rikonfirmoi mbështetjen e tij për aspiratat euroatlantike të Kosovës, duke theksuar se si anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës dhe jep një kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë përmes pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it.

Në Pejë, presidenti Pendarovski do të vizitojë Komandën Rajonale – Perëndim të KFOR-it, ku parashihet të takohet me komandantin e Komandës Rajonale – Perëndim, kolonel Francesco Ferrara, si dhe me pjesëtarët e kontingjentit maqedonas në kuadër të KFOR-it.