Aksion gueril në Shkup: U vendos dhomë pritjeje, simbol i korrupsionit në shëndetësi (FOTO)
Një dhomë pritjeje që simbolizon format më të shpeshta të korrupsionit në shëndetësi u vendos mëngjesin e sotëm në sheshin mes bulevardit „Aradhat Prtizane“ dhe rrugës „Leninova“. Bëhet fjalë për një aksion „gueril“, që përmes një instalacioni artistik në hapësirën publike synon t’i përballë drejtpërdrejt qytetarët dhe institucionet kompetente me praktikat korruptive në sistemin e shëndetësisë publike, transmeton Portalb.mk.
Instalacioni, i cili është në formën e një dhome të vërtetë pritjeje spitalore me sportel dhe karrige, tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve, të cilët me kureshtje lexonin mesazhet e shkruara, ndërsa disa prej tyre u ulën për të “pritur” shërbim shëndetësor.
Në dhomën e pritjes janë shkruar fraza satirike që pasqyrojnë problemet kryesore në shëndetësi, si dhe gjetjet dhe dëshmitë kryesore të qytetarëve nga hulumtimi “Zgjidhje apo korrupsion? Pagesat joformale, lidhjet dhe dhuratat në sistemin shëndetësor”.
Aksioni gueril realizohet nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE, në kuadër të projektit „Sistem më i fuqishëm për mbrojtje më të drejtë: Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi“.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që në një mënyrë kreative dhe të pazakontë ta tërheqim vëmendjen e publikut dhe institucioneve kompetente ndaj një problemi që është thellësisht i rrënjosur në shëndetësinë maqedonase dhe me të cilin mijëra qytetarë përballen çdo ditë. Korrupsioni në shëndetësi cenon të drejtat themelore të njeriut, krijon trajtim të pabarabartë për pacientët dhe minon themelet e shëndetësisë publike. Shpresojmë që mesazhet e shkruara në këtë dhomë pritjeje për një shëndetësi më të mirë t’i inkurajojnë qytetarët, por edhe punonjësit shëndetësorë, ta raportojnë korrupsionin, ndërsa njëkohësisht do të jenë nxitje për institucionet kompetente që të përballen më vendosmërisht me këtë problem serioz”, deklaroi Darko Antiç nga Shoqata ESE.
Pranë dhomës së pritjes janë vendosur edhe dy forma të mëdha skulpturore që paraqesin forma të ndryshme të korrupsionit në shëndetësi. Njëra është një zarf nga i cili dalin kartëmonedha, si asociacion i drejtpërdrejtë me ryshfetin në para. E dyta është një paketim i madh kafeje, i markuar si „Kafe Lidhja“, që në mënyrë satirike aludon për dhuratat e vogla si simbol i korrupsionit të përditshëm, veçanërisht në nivelet më të ulëta të sistemit shëndetësor.
Sipas hulumtimit të Shoqatës ESE, dhënia e parave ose dhuratave është forma më e shpeshtë e korrupsionit në shëndetësinë publike maqedonase. Në shumicën e rasteve, ryshfeti jepet për një shtrat spitalor ose për një operacion pa pritje, si dhe për një termin „përmes radhës“ te mjeku specialist.
“Hulumtimi ynë tregoi se gratë, veçanërisht ato nga kategoritë e cenueshme, janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit në shëndetësi. Një nga të dhënat që e konfirmon këtë është se një e katërta e grave të anketuara thanë se kishin përvojë me korrupsion gjatë përdorimit të kujdesit shëndetësor gjinekologjik-obstetrik”, tha Jasminka Friçkiq, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës ESE.
Aksioni i sotëm gueril nuk është i drejtuar kundër punonjësve shëndetësorë, por kundër mangësive sistemike dhe praktikave korruptive që dëmtojnë imazhin e këtij profesioni fisnik. Pikërisht për këtë arsye, në kuadër të instalacionit është përfshirë edhe një mesazh falënderimi për mijëra punonjësit shëndetësorë që çdo ditë punojnë me përkushtim dhe vetëmohim për të mirën e pacientëve.
Shoqata ESE e zbaton projektin “Sistem më i fuqishëm për mbrojtje më të drejtë: Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi” me mbështetje financiare nga Expertise France përmes Agence française de développement.