Korrupsion në shëndetësinë e Maqedonisë ka, por askush nuk e raporton

Korrupsioni në shëndetësi është një dukuri e normalizuar, pacientët shpesh nuk e dallojnë atë dhe pothuajse askush nuk e raporton, janë përfundimet kryesore të hulumtimit  mbi përvojat, perceptimet dhe qëndrimet e qytetarëve rreth praktikave korruptive në sistemin shëndetësor. Edhe pse shumica e të anketuarve e perceptojnë atë si një problem serioz, vetëm një pjesë e vogël konfirmon se janë ndeshur me korrupsion në praktikë, njofton Portalb.mk.

Pothuajse 90% e qytetarëve të anketuar thanë se nuk u ishte kërkuar, ndërsa 94% se nuk kishin ofruar korrupsion gjatë shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore në 12 muajt e fundit.

Nga ana tjetër, shumica e të anketuarve të fokus grupit theksuan se ishin ndeshur personalisht me korrupsion ose njihnin të afërm të tyre që kishin një problem të tillë. Mbresëlënës është fakti se asnjë nga të anketuarit që deklaruan se u ishte kërkuar korrupsion nuk e ka raportuar rastin.

“Shëndetësia është një nga sektorët me dallimin më të theksuar midis korrupsionit të përjetuar dhe atij të raportuar. Mosraportimi i praktikave korruptive nga qytetarët më shpesh është rezultat i frikës nga pasojat negative, humbja e qasjes në shërbimet shëndetësore ose hakmarrja”, thotë Darko Antiq nga Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE.

Hulumtimi tregoi se dhënia e parave ose dhuratave është forma më e shpeshtë e korrupsionit në  shëndetësinë publike në Maqedoni , d.m.th. në këto kategori bëjnë pjesë deri në 83 përqind të rasteve. Pastaj vijon praktika e referimit në një institucion shëndetësor privat ose referimit në një farmaci të caktuar për të blerë një medikament konkret.

“Në situatë më të pavolitshme janë pacientët që duhet të caktojnë shpejt termine, shërbime diagnostikuese dhe hospitalizim ose procedura kirurgjikale. Sipas përvojave të qytetarëve, shërbime të tilla shpesh nuk sigurohen, ose nuk ofrohen brenda një afati kohor adekuat, derisa nuk jepet ryshfet”, tha Borjan Pavllovski nga Shoqata ESE.

Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT
Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT

Sipas hulumtimit gratë janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit sesa burrat. Shqetësues është fakti se një e katërta, gjegjësisht 25,3 përqind e të anketuarve kanë raportuar një përvojë korruptive gjatë përdorimit të mbrojtjes shëndetësore gjinekologjike dhe obstetrike.

Problem shtesë është se një pjesë e madhe e të anketuarve e barazojnë korrupsionin me një shprehje mirënjohjeje, duke marrë parasysh se një dhuratë ose shërbim i vogël pas një ekzaminimi të përfunduar është një gjest normal, dhe jo një formë ryshfeti.

Rezultatet e hulumtimit tregojnë se korrupsioni në shëndetësi e zvogëlon besimin e pacientëve, e minon efikasitetin e sistemit dhe krijon qasje të pabarabartë në shërbimet shëndetësore, me një ndikim më negativ ndaj grave. Pikërisht për këtë arsye, rekomandimi kryesor është të krijohen kanale të sigurta dhe të besueshme për raportimin e korrupsionit dhe të zbatohen fushata publike që do t’i inkurajojnë qytetarët të raportojnë në vend që të jenë pjesë e praktikave korruptive.

Hulumtimi u realizua nëpërmjet një ankete telefonike me një mostër përfaqësuese prej 1.040 të anketuarish, si dhe me organizimin e fokus grupeve në gjashtë qytete në Maqedoni, në të cilat morën pjesë rreth 100 gra të kategorive të ndryshme. Aktiviteti është pjesë e projektit “Sistem më i fortë për mbrojtje më të drejtë: Reduktimi i korrupsionit në shëndetësi“, të cilin Shoqata ESE e realizon me mbështetjen e Expertise France nëpërmjet Agence française de developpement.

Kujtojmë se sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.