Deklaratat e Shasivarit për Hagën shkaktuan reagime: VLEN mbështet UÇK-në, BDI-ja në protestë
Qëndrimet e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për vendimin e pritshëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së kanë shkaktuar reagime të ndryshme politike në Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Shasivari ka kërkuar respektimin e vendimit gjyqësor dhe zhvillimin e procesit pa presion politik, VLEN ka shprehur mbështetje për ish-krerët e UÇK-së, ndërsa Forumi Rinor i BDI-së ka protestuar para Ministrisë së Drejtësisë dhe ka kërkuar dorëheqjen e ministrit, transmeton Portalb.mk.
Shasivari deklaroi se më 16 shtator nuk duhet të gjykojnë politika, emocionet apo rruga, por gjykata. Ai theksoi se cilido qoftë vendimi, ai duhet të respektohet dhe se palët kanë të drejtën e ankesës. Sipas tij, për faktet, përgjegjësinë dhe fajësinë mund të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e provave dhe ligjit.
“Kosova nuk ka nevojë për presion politik mbi drejtësinë. Ka nevojë për besim në drejtësi”, shkroi Shasivari, duke theksuar se duhet të mbrohen të drejtat e viktimave dhe të akuzuarve dhe të garantohet pavarësia e gjyqësorit.
Pas këtyre deklaratave, VLEN publikoi një qëndrim ku shprehu mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Koalicioni e cilësoi luftën e UÇK-së si „”luftë të drejtë, të pastër dhe çlirimtare” dhe tha se qëndron pranë vlerave të saj.
Duke iu referuar procesit ndaj Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, VLEN rikujtoi se akuzat nuk përbëjnë aktgjykim dhe se prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet deri në përfundim të procesit. Në qëndrimin e saj, VLEN shprehu shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen të lirë pranë familjeve të tyre.
Ndërkohë, Forumi Rinor i BDI-së zhvilloi protestë para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup, duke kërkuar dorëheqjen e Shasivarit. Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin “dorëheqje” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, e ka sulmuar drejtpërdrejt Shasivarin. Ai tha se ministri po “barazon viktimën me agresorin” dhe e kritikoi për qëndrimin se vendimi i Gjykatës Speciale duhet të respektohet pavarësisht përmbajtjes. Ademi theksoi se shqiptarët e dinë “kush vrau dhe kush u vra” dhe “kush pushtoi dhe kush luftoi për liri”.
Pas kritikave, Shasivari ka publikuar një sqarim ku thotë se nuk e ka mbështetur Gjykatën Speciale dhe se deklarata e tij nuk duhet interpretuar si mbështetje për të. Ai shkroi: “Mos më atribuoni një qëndrim që nuk e kam thënë”.
Shasivari gjithashtu deklaroi se nuk ka votuar dhe as nuk ka mbledhur vota për themelimin e Gjykatës Speciale, duke përmendur Ali Ahmetin dhe Berat Buzhalën si persona që, sipas tij, kanë pasur rol në këtë proces.
Reagimet vijnë një ditë para vendimit të pritshëm të Gjykatës Speciale më 16 shtator, kur edhe pritet të mbyllet një nga proceset më të rëndësishme që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë. Pas më shumë se 230 ditësh seanca gjyqësore, trupi gjykues do të shpallë vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.